Kosova
Gjermania e Franca kërkojnë nga Kosova e Serbia kompromise e guxim politik
Gjermania e Franca – dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian – dhe sponsorizuesit e propozimit franko-gjerman i cili u dakordësua nga Kosova e Serbia fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars të vitit të kaluar besojnë se “pa kompromis” e “guxim politik” nuk mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.
Ishte i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ai i cili u përkujdes që të ritheksojë se Kosova dhe Serbia, duhet të bëjnë kompromise dhe ndonjëherë të jenë edhe të gatshëm për të bërë lëshime në raport me marrëveshjet politike.
Marrëveshje këto të cilat në vlerësimin e tij, “nuk janë të lehta” për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Sarrazin këto komente i bëri pas vizitës një ditore në Kosovë, ku takoi liderët shtetërore për të bërë përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në tetorin e këtij viti në Gjermani.
Pas Sarrazin, të njëjtën kërkesë e përsërit edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili po qëndron në Serbi për të dytën herë me radhë si president.
Në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Macron vlerësoi se çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk do të zgjidhet pa kompromis”, si dhe “pa guxim politik” duke garantuar se Parisi do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të ndërmjetësuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në kohën kur Serbia po thellon marrëdhëniet me Francën me nënshkrimin e një marrëveshje multimiliardëshe për blerjen e avionëve luftarak, “Rafale”, Macron u përkujdes të theksoj se është Kosova ajo që me veprime të njëanshme po dërgon “sinjale jo të mira” dhe po shkakton shqetësim në komunitetin ndërkombëtar.