Connect with us

Kosova

Gjermania godet Amerikën për Kosovën/ Përplasje në distancë Roth-Hovenier

Kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë, Michael Roth, reagoi nëpërmjet një postimi në platformën “X”, pas akuzave të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili konsideroi se autoritetet e Kosovës po nxisin tensione në pjesën veriore të vendit të banuara me shumicë serbe.

Roth e cilësoi “shembull tjetër i deklaratave të pabalacuara” deklaratën e Hovenierit se vendimi i autoriteteve kosovare për ndalimin e dinarit nxit “tensione të panevojshme”, duke iu referuar mungesës së balancës për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit apo dhe kidnapimin e tre policëve kufitarë të Kosovës nga strukturat serbe të sigurisë.

“Një shembull tjetër i deklaratave të pabalancuara të SHBA-së për Kosovën. Më mungojnë mesazhet kaq të qarta në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, rrëmbimin në kufi të tre policëve dhe shantazhet në rajon” –  shkroi deputeti gjerma, si dhe akuzoi edhe Bashkimin Evropian për qasje të njejtë të pabalancuar në raport me problemet midis Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë drejtim, kryesuesja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, reagoi gjithashtu për deklaratën e ambasadorit të SHBA-së, duke akuzuar SHBA-në se nuk është duke trajtuar njësoj veprimet e autoriteteve kosovare dhe serbe në nxitjen e tensioneve.

“Ku është ekuilibri? A patëm deklaratë si kjo nga SHBA-ja pas rrembimit të tre zyrtarëve policorë nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist në Banjskë mbetet shurdhuese”- shkroi deputetja britanike, duke shpërndarë deklaratën e Hovenierit, ku ndër të tjera paralajmëroi edhe mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga mbështetja ndërkombëtare për Kosovën.

SHBA-ja paralajmëroi pasoja për Kosovën, duke i bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti, që ta ndryshojë kursin pas vendimit për ndalimin e dinarit serb në Kosovë.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që SHBA-të të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën”, tha Hovenier.

Për shkak të situatës së brishtë në pjesën veriore të vendit, posaçërisht pas përshkallëzimit të tensioneve vitin e kaluar që kulmuan pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit, bashkësia e organizuar ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë implementimin e vendimit dhe t’u japë më shumë kohë serbëve lokalë që të adaptohen.

Advertisement