Kronike
Gjermania mbështetje për asociacionin

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde tha se pajtohet plotësisht me deklaratat e këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, sa i përket shtyrjes përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. “Jam plotësisht dakord: është shumë e rëndësishme të çojmë përpara diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, shkroi Rohde në Tëitter.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar për datën 31 janar një diskutim për këtë asociacion, ku ka thënë se janë ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë dhe politikanë të tjerë. Ambasadori gjerman u shpreh se është mirë të dëgjosh se ministri i Kosovës Nenad Rashiq ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në diskutimin e planifikuar për këtë çështje më 31 janar në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Kjo deklaratë vjen në kohën kur ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Marrëveshja për krijimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

