Politike
Gjermania zyrtare: Reforma në BE duhet ti paraprijë zgjerimit me vende të reja si Shqipëria
Shqipëria po bën hapa përpara në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian megjithatë mbetet e paqartë nëse vullneti politik do të mjaftojë për të arritur objektivin e anëtarësimit deri në vitin 2030.
Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum, deklaroi se Shqipëria është në një rrugë të mirë drejt BE-së, por theksoi se ka ende potencial për përmirësim, veçanërisht në fushën e shtetit ligjor.
Sipas DW, Krichbaum nënvizoi gjithashtu qëndrimin e Gjermanisë, sipas të cilit duhet të ketë reforma të brendshme brenda vetë Bashkimit Evropian përpara një zgjerimi të ri.
Ndryshimet përfshijnë çështje të ndjeshme si e drejta e vetos. “Kjo duhet të ecë paralelisht, sepse ndryshe mund të krijohet një situatë ku aftësia vepruese e BE-së do të jetë shumë e kufizuar,” tha ai.
Ndërkohë, Shqipëria ka hapur dje edhe katër kapituj të rinj negociues, një hap që sinjalizon progres konkret në procesin e integrimit.