Aktualitet
Gjermeni përjashtohet nga drejtësia
Komisioni i Vetingut ka vendosur ditën e djeshme të përjashtojë për 15 vite nga drejtësia gjyqtarin e Tiranës, Artan Gjermeni. Vendimi ka ardhur pas dy dorëheqjeve nga detyra të gjyqtarit. Procesi i Vetingut për gjyqtarin e Tiranës ka nisur që në dhjetor të vitit 2019. Në 25 maj të vitit 2022, Gjermeni paraqiti pranë KLGJ-së kërkesën për heqje dorë nga statusi i magjistratit, pra duke kërkuar largimin nga drejtësi. Në 26 qershor të vitit 2022, gjyqtari Gjermeni ka paraqitur një kërkesë në KLGJ duket u dorëhequr nga dorëheqja, ndërsa një javë më pas ka kërkuar përjashtimin e komisioneres Etleda Çiftja, e cila ishte pjesë e trupit gjykues që po shqyrtonte dosjen e tij.
Komisioni i Vetingut e ka pranuar kërkesën për përjashtimin e zonjës Çiftja, e cila është zëvendësuar me Suela Zhegun. Në 14 shtator 2022, Artan Gjermeni ka njoftuar Komisionin e Vetingut se kishte kërkuar sërish dorëheqjen e tij në KLGJ. Nga ana tjetër, KLGJ kishte miratuar dorëheqjen e gjyqtarit që në 19 shtator 2022. Ditën e djeshme, në 14 tetor 2022, Komisioni i Vetingut ka vendosur ndërprerjen e procesit të Vetingut për Artan Gjermenit si dhe përjashtimin e tij për 15 vite nga e drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë.
Artan Gjermeni është një emër i njohur në sistemin e drejtësisë. Më 22 maj 2007, ish ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, i propozoi KLD-së shkarkimin e Artan Gjermenit, pasi akuzohej për lidhje me bandën e Aldo Bares. Kërkesa për shkarkim erdhi pasi në disa media u publikua një bisedë, që pretendohej se ishte e përgjuar më 11 prill 2004, mes Aldo Bares dhe A.N, ku diskutohej mundësia e fitimit të tenderit për ndërtimin e rrugës Lushnjë-Fier dhe marrja e ekskluzivitetit për vendosjen e disa pikave të karburantit. U përfol gjatë fraza e Aldo Bares, ku pretendohej se thoshte që: “Dokumentet do t’i bëjmë nëpërmjet Gjermenit”.
Megjithatë, kërkesa e Ilir Rusmalit për të shkarkuar Gjermenin u rrëzua me 6 vota kundra dhe 5 pro nga KLD-ja
Dosjet e bujshme
Artan Gjermeni ka marrë pjesë dhe ka vendosur për dosje të bujshme. Gjermeni ishte pjesë e trupës gjykuese, e cila shpëtoi nga burgimi i përjetshëm Konstandin Xhuvani, i cili vrau 4 persona. Gjermeni ka qenë pjesë e trupës gjykues për çështjen e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili i shpëtoi ndëshkimit ligjor, madje mori mbi 500 mijë USD dëmshpërblim.
Në maj të 2019, Gjermeni la të lirë Ervis Martinajn, një nga personat e përfshirë në përplasjen e ndodhur në ish-Bllok, më 4 tetor të vitit 2018, ku mbeti i vrarë Fabjol Gaxha. Në vitin 2018, Gjermani ka marrë pjesë në procesin kur u shpallën të pafajshëm Alma Radovicka, Gazmend dhe Gëzim Radovicka, të akuzuar nga prokuroria për vjedhjen e 2 mijë m2 tokë të disa shtetasve austriakë.
Në 2017, Gjermeni ka qenë pjesë trupës gjykuese që liroi nga qelia Muhamet Licin, i arrestuar si kreu i një grupi kriminal që gjobiste tregtarët e Shkodrës. Në vitin 2016, Artan Gjermeni shpalli të pafajshëm ish-drejtorin e Tatimeve në Tiranë Ismail Muça i akuzuar se në bashkëpunim me 7 persona të tjerë nëpërmjet skemës së mashtrimeve të tatimit mbi vlerën e shtuar kanë përfituar 6 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Artan Gjermeni shpalli të pafajshëm ish-kreun e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Zyhdi Dajti, pas 12 seancave si i pandehur nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa të pandehur, së bashku me të, ishin dhe tetë inspektorë të ish-INUK-ut. Në janar të vitit 2022, Artan Gjermeni liroi nga burgu edhe katër të arrestuarit si të dyshuar për publikimin e dhënave personale të mbi 650 mijë qytetarëve.
Plagosja në 2016
Në janar të vitit 2016, Gjermeni u paraqit i plagosur në QSUT, ndërsa në makinën e tij tip SMART. Gjyqtari tha që ishte prerë me një llamarinë në garazhin e tij, ndërsa për paratë se ishin kursime. Mediat cituan bluzat e bardha, të cilët konfirmonin rastin, duke deklaruar se gjyqtari Gjermeni ishte paraqitur me traumë shpuese në hapësirën ndërbrinjore, por pa depërtuar në mushkëri, duke shtuar më tej se këto plagë janë tipike si ato që shkaktohen nga armët e ftohta. Ajo çfarë e komplikoi më tepër këtë ngjarje, ishte gjetja nga policia e një sasie parash në automjetin e Gjermenit.
Në vendin e ngjarjes, përveç gjurmëve të gjakut, policia gjeti në automjet edhe shumën e 18 mijë e 760 euro, si dhe një shumë prej 285 mijë lekësh të reja. I pyetur për paratë e sekuestruara, gjyqtari tha se ishin të ardhura të familjes. Për këtë rast, hetimet i kaluan Prokurorisë së Durrësit.
Me këtë argument si dhe me raportin e ekspertëve mjeko-ligjorë për plagë shumë të lehta, Prokuroria e Durrësit ka mbyllur hetimet për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”, e referuar nga policia e Tiranës. Gjithashtu, e njëjta Prokurori vendosi që të zhbllokojë edhe shumën e parave 18 mijë e 750 euro dhe 250 mijë lekë të reja, që iu sekuestruan gjyqtarit Artan Gjermeni në makinën e tij tip “Smart”.
Edhe pse të dyja alibitë ishin të dobëta, Gjermeni ia hodhi edhe këtë herë pa u ndëshkuar. Ka dyshime të forta se Gjermeni është përleshur dhe plagosur nga një gjyqtar tjetër, për motive të dobëta.