Kosova
Gjetje TRONDITESE në sulmin e Zubin Potok/ Armë, eksploziv dhe lidhje me Rusinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, i ka njoftuar këta të fundit se sulmi i së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut ishte i dirigjuar nga profesionistë nga Serbia.
Kurti theksoi se qëllimi i këtij sulmi ka qenë dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit, duke qenë se ishte sulmi i tretë në 72 orë kundër Republikës, pas atyre të 26 dhe 28 nëntorit në stacionin policor në Zveçan dhe në afërsi të objektit të kësaj Komune.
Ai i informoi diplomatët se Policia po i zhvillon hetimet, teksa tashmë ka disa të arrestuar të dyshuar të ndërlidhur me sulmin e përgjegjës për ekzekutimin e tij, si dhe dëshmi e prova materiale, ndër to edhe armë, eksplozivë e uniforma dhe emblema të njësive ushtarake ruse.
Nga ana tjeter, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, pas takimit me Kurtin, ka thënë se ShBA-ja nuk është në gjendje të thotë kush qëndron prapa sulmit në Ibër-Lepenc që ndodhi të premten, duke theksuar se “është shumë herët”, meqë sipas tij, duhet hetim i “kujdesshëm”.
Gjithashtu diplomati amerikan ka theksuar se SHBA ofron mbështetje në hetimin e këtij rasti dhe se këto veprime të dhunshme janë të pafalshme.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar në termat më të ashpër – njëzëri – sulmin terrorist të së premtes në Veri, duke kërkuar hetim të plotë dhe të menjëhershëm dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë.