Connect with us

Politike

GJKKO del me njoftim zyrtar pas vendimit për Metën dhe 3 të akuzuarit

Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 22.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, e caktuar me vendimin nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personave nën hetim Ilir Metaj, Monika Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 237 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 130, datë 23.10.2024, vendosi:

1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Ilir Metaj, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuara nga nenet 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 të K.Penal.

2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale ndaj personit nën hetim Monika Kryemadhi, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 (dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuara nga nenet 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 të K.Penal.

3. Personi nën hetim Monika Kryemadhi detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 12.00.

4. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj personit nën hetim Piro Xhixho me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

5. Personi nën hetim Piro Xhixho detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:30. 6. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Ema Çoku, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 287/2 i K.Penal.

7. Personi nën hetim Ema Çoku detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:00.

8. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore, për ekzekutimin e këtij vendimi.

9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brënda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës.

Advertisement