Connect with us

Aktualitet

GJKKO i refuzon Berishës lejen për të shkuar në Kuvend. Avokati: Beteja vazhdon!

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kreut të PD-së Sali Berisha për të marrë pjesë në seancat plenare, e cila ishte apeluar pasi më herët ishte rrëzuar nga SPAK.

Berisha ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, teksa sipas avokatëve të tij, nuk mund t’i hiqet e drejta për të marrë pjesë në Kuvend, por kërkesa e tyre është rrëzuar nga gjykata.

Pas dhënies së vendimit, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj u shpreh se do të vazhdojnë betejën ligjore duke ankimuar këtë vendim. Sipas tij,  “pa u ndryshuar porosia e Ramës nuk ndryshon vendimi i gjykatës”.

“Ata vazhduan në të tyren ne do vazhdojmë betejën tonë. Edhe praktikat e Strasburgut dhe argumentimet që bëmë nuk arriti gjykata të konkludonte. Pa ndryshuar porosia e Ramës nuk ndryshon vendimi i kësaj gjykate”, tha avokati Genc Gjokutaj pas përfundimit të seancës.

Më herët, eksponentë të PD-së e kanë konsideruar këtë vendim si të qëllimshëm, me urdhër të mazhorancës, për t’i hequr mandatin kreut të PD-se Sali Berisha pas 6 muajsh.

Advertisement