Aktualitet
GJKKO merr vendimin, lë në burg “trurin financiar” të bandës së Suel Çelës

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për Bujar Shegën. Bëhet e ditur se Shega ka deklaruar se nuk ka lidhje me akuzat. Bujar Shega, i njohur i krahu i djathtë i Suel Çelës në Elbasan u ekstradua ditën e djeshme nga Italia. Shega fillimisht është arrestuar në Itali në muajin nëntor të vitit të kaluar me urdhër të GJKKO, pasi SPAK e kërkon për disa vepra penale.
Bujar Shega është vendosur në masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për disa vepra penale të cilat janë “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Grup i Strukturuar Kriminal”.
Akuzat e ngritura ndaj tij:
“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit në një grup të strukturuar kriminal, për të cilin është parashikuar dënimi sipas nenit 283/a/1, 28/4 dhe 334 të Kodeksit Penal. Ky fakt penal është verifikuar më 13 dhjetor 2020, kur është sekuestruar një sasi prej 930 kilogramësh kokainë në Ekuador;
“Grupi i strukturuar kriminal”, sipas nenit 333/a/1 të Kodeksit Penal;
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1, shkronjat “a” dhe “b” të Kodeksit Penal.

