Connect with us

Kosova

Gjoba të majme dhe dënim me burg/ Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi thirrje qytetarëve të saj

Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ka dalë me një njoftim zyrtar në “Facebook” ku u bën thirrje qytetarëve të saj që jetojnë ose janë duke vizituar emiratet të mos fotografojnë dhe shpërndajnë pamje nga incidentet me dronë e raketa.

Më tej ambasada thekson se autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe zbatojnë masa të rrepta ligjore ndaj çdo shkeljeje duke përfshirë gjoba të larta dhe dënime me burg. Gjithashtu ambasada u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara pas sulmeve të Iranit ndaj këtij shteti, njofton të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe, si vizitorë apo rezidentë, se, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e brendshme në fuqi në vendi pritës:

-Ndalohet rreptësisht fotografimi, incizimi apo shpërndarja e pamjeve dhe informacioneve nga vendet ku ndodhin incidente të lidhura me raketa apo dronë, si dhe publikimi i vendndodhjeve të këtyre incidenteve në rrjete sociale apo platforma të tjera.

-Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe zbatojnë masa të rrepta ligjore ndaj çdo shkeljeje, përfshirë: gjoba të larta financiare, dënime me burg, konfiskim të pajisjeve elektronike si dhe deportim të shoqëruar me ndalim të rikthimit në vend.

Ambasada u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik në vendin ku jetojnë dhe veprojnë”, thuhet në postim.

Advertisement