Connect with us

Aktualitet

Gjykata e Lartë liron nga qelia Kreshnik Farrukun

Gjykata e Lartë ka liruar nga burgu Kreshnik Farrukun alias Kreshnik Budlla, i konsideruar si kreu i një organizate kriminale që akuzohej për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Ai u vetëdorëzua në Polici më 7 Janar të këtij viti, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia nën akuzat për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Por, dy ditë më pas, Gjykata e Durrësit vendosi ta lironte, duke i caktuar masën e “arrestit në shtëpi”.

Gjithsesi, ai u arrestua sërish me urdhër të SPAK më 11 Janar nga forcat RENEA në banesën e tij në Manëz të Durrësit, pas dyshimeve se ishte i përfshirë në dosjen e ish-deputetit Jurgis Çyrbja, e cila bazohej në komunikimet e aplikacionit të enkriptuar “Sky Ecc”.

Por, më 2 Prill, Gjykata e Posaçme i revokoi Kreshnik Farrukut masën e “arrestit me burg”, pas zbulimit se komunikimet në aplikacionin “Sky Ecc”, të cilat ishin përdorur si prova kundër tij, i përkisnin vëllait të tij, Roland Farruku.

Gjithsesi, ai sërish nuk u lirua nga burgu, pasi Gjykata e Apelit i kishte rikthyer masën e “arrestit me burg” edhe në lidhje me akuzat nga Italia, ku ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kreshnik Farruku kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi t’ia pranonte, duke rrëzuar vendimin e Apelit dhe duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të Durrësit, masën e “arrestit në shtëpi”.

Ditën e sotme, (data 20 maj), Kreshnik Farruku ka lënë ambientet e paraburgimit duke u lënë të qëndrojë me shtëpi deri në përfundim të procedurës së ekstradimit të tij drejt Italisë.

Kush është Kreshnik Farruku alias Kreshnik Budlla?

Kreshnik Farruku (Budlla) ka përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë, teksa në maj të vitit 2010, ai u arrestua së bashku me 7 anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë për trafik kokaine.

Në vitin 2014, Kreshnik Farruku u arratis nga burgu dhe u arrestua në vitin 2019 teksa kërkohej në Spanjë e Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave.

Ndërkohë, në vitin 2015, Kreshnik Farrukut (Budllës) iu bë një atentat në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Ai ishte në shoqërinë e kunatit të tij, Rinald Budlla, dhe të dy shokëve, kur u qëllua me armë zjarri, ndërsa u plagos një kalimtare.

Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të pazareve të drogës, por më pas rezultoi se atentatin e kishte porositur Devi Kasmi, që u vra në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme, në muajin Dhjetor të vitit të kaluar, Kreshnik Budllës (Farrukut), së bashku me vëllain e tij, Erneo Farruku iu konfiskuan 27 pasuri, më konkretisht disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”. Pasuritë dyshohet se ishin vendosur nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës.

Në vitin 2023 ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe nga Spanja pas një megaoperacionit kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës. Në atë kohë u kap 2 ton kokainë që dyshohet se ishte porositur nga klani Farruku në Ekuador dhe do të futej në Spanjë.

Advertisement