Connect with us

Kosova

Godisni Kurtin/ Vuçiçi kërkon nga ndërkombëtarët të marrin masa

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë në lidhje me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës pa marrëveshje speciale ndërshtetërore.

“Duhet të jesh i verbër politikisht që të mos e shohësh se çfarë po bën Albin Kurti. Ia kam thënë edhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg. Ne do të presim nëse ata do të lëshojnë ndonjë deklaratë, ku do të thonë se veprimet e Kurtit janë në kundërshtim me parimet demokratike” –  ka thënë presidenti serb.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se nëse Serbia është e interesuar, duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë në mënyrë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë të planifikuara për në dhjetor të këtij viti.

Kërkesa për marrëveshje speciale, sipas kryeministrit Kurti, duhet të vijë nga Serbia, ndërsa çdo kërkesë nga pala serbe duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian.

Serbia, nëpërmjet drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare serbe të planifikuara më 17 dhjetor të këtij viti të organizohen edhe në territorin e Kosovës, sipas të njëjtit model të aplikuar që prej zgjedhjeve të Serbisë në vitit 2017 e tutje, ku votat janë grumbulluar nga OSBE-ja.

 

Advertisement