Connect with us

Kosova

GODITJA E MADHE, ja çfarë e pret Serbinë në periudhën e ardhshme

“Lufta diplomatike e Beogradit është ditë e natë”- kështu tha këto ditë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke lënë të kuptohet se Serbinë në muajin e ardhshëm e presin sfida të shumta, aspak të këndshme, të politikës së jashtme.

E para prej tyre është sigurisht seanca e rregullt e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të diskutohet raporti i UNMIK-ut për Kosovën, për të cilin vetë Vuçiç thotë se është i pabalancuar dhe i keq dhe në të cilin kërkohet të sillen pa vonesë përpara drejtësisë, organizatorët e incidentit të Banjskës.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut është caktuar për më 22 prill dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në raportin që i referohet periudhës nga 19 shtatori 2023 deri më 15 mars 2024 ka theksuar se ka pasur progres në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e BE-së, por se tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës janë rritur dhe se situata në veri të Kosovës mbetet e brishtë.

Një pjesë e madhe e raportit i kushtohet ngjarjeve të 24 shtatorit në Banjskë, e cila cilësohet si “incident i rëndë sigurie”.

Ngjarjet pas saj janë përshkruar në detaje, të cilat, sipas raportit, ngritën tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe se Serbia e rriti praninë e saj ushtarake në vijën administrative, të cilën më pas e tërhoqi nën presionin ndërkombëtar.

Lidershipi i Kosovës akuzoi Serbinë për nxitje dhe sponsorizim sistematik të dhunës, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç hodhi poshtë çdo pretendim për ndërhyrje të autoriteteve serbe dhe pretendoi se incidenti ishte një reagim i serbëve të Kosovës ndaj pranisë së policisë së Kosovës në veri.

Përgjegjësinë për ngjarjen e ka marrë Milan Radoiçiq, i cili u arrestua nga autoritetet serbe më 3 tetor, por u lirua të nesërmen. Raporti thekson se autoritetet e Kosovës kanë lëshuar një urdhërarrest për Radoiçiqin, ndërsa ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçic, e ka refuzuar ekstradimin e Radoiçiçit. Në raportin gjashtëmujor mbi punën e UNMIK-ut, Guterres bëri thirrje që organizatorët e incidentit në Banjskë të dalin para drejtësisë pa vonesë dhe që dialogu i sponsorizuar nga BE-ja të diskutohet urgjentisht për zbatimin e rregulloreve të reja për transaksionet e monedhës dhe parave të gatshme.

Advertisement