Connect with us

Bota

Goditje në thellësi/ Financial Times:Trump i kërkon Ukrainës të bombardojë Moskën

“Donald Trump ka inkurajuar privatisht Ukrainën që të shtojë sulmet në thellësi të territorit rus, madje duke e pyetur Volodimir Zelenskin nëse ai mund të godiste Moskën nëse SHBA do të siguronte armë me rreze të gjatë veprimi.” Kështu e hap shkrimin kryesor të sotëm prestigjozja amerikane, Financial Times, duke iu referuar personave të informuar mbi bisedën.

Financial Times zbulon se kjo kërkesë e paprecedentë i është bërë Zelenksit në telefon rreth 10 ditë më parë.

“Biseda, e cila ndodhi gjatë një telefonate më 4 Korrik midis liderëve të SHBA-së dhe Ukrainës, përbën një distancim të madh nga qëndrimi i mëparshëm i Trump mbi luftën e Rusisë dhe premtimin e fushatës së tij për të përfunduar përfshirjen e SHBA-së në konfliktet e huaja” – shkruan FT.

Sipas gazetës amerikane, detajet e kësaj telefonate janë të rëndësishme, sepse edhe nëse kërkesa e Trump nuk materializohet, më së paku tregon zhgënjimin e Trump me Putinin.

“Ndërsa mbetet e paqartë nëse Uashingtoni do të dorëzojë armë të tilla, diskutimi nënvizon zhgënjimin e thelluar të Trump me Presidentin rus Vladimir Putin për refuzimin e tij për t’u angazhuar në bisedimet për armëpushim, të propozuara nga presidenti amerikan, i cili dikur premtoi se do ta zgjidhte luftën për një ditë.”

Por çfarë ndodhi para kësaj telefonate?

“Biseda me Zelenskin më 4 Korrik u parapri nga një telefonatë e Trump me Putinin një ditë më parë, të cilën presidenti amerikan e përshkroi si ‘të keqe’” – shkruan Financial Times. Më pas gazeta futet në detajet e telefonatës Trump-Zelenski. Zelenski, më së paku, tregoi një guxim jo të vogël.

“Dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelenskit thanë se presidenti amerikan e kishte pyetur homologun e tij ukrainas nëse ai mund të godiste objektiva ushtarake në thellësi të territorit rus nëse i jepeshin armë të afta për ta bërë këtë.

“Volodimir, a mund të godasësh Moskën? … A mund të godasësh edhe Shën Petersburgun?” – e pyeti Trump gjatë telefonatës, sipas këtyre personave.

Ata thanë se Zelenskyy u përgjigj: “Absolutisht. Mundemi nëse na jepni armët.” – shkruan Financial Times.

Sipas gazetës amerikane, Trump do që rusët të fillojnë të ndjejnë dhimbje, sepse ndoshta kjo do ta ndryshonte kursin e negociatave.

“Trump shprehu mbështetjen e tij për idenë, duke e përshkruar strategjinë si të synuar për të “bërë që ata [rusët] ta ndiejnë dhimbjen” dhe për ta detyruar Kremlinin të ulet në tryezën e negociatave, sipas dy personave të informuar për telefonatën” – shkruan gazeta.

Sipas Financial Times, aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë filluar të joshen nga ideja e një sulmi në Moskë.

“Një zyrtar perëndimor, i cili ishte informuar mbi telefonatën, tha se biseda pasqyronte një dëshirë gjithnjë e më të madhe midis partnerëve perëndimorë të Ukrainës për të furnizuar armë me rreze të gjatë veprimi të afta për të “sjellë luftën në Moskë”, një ndjenjë që është shprehur privatisht edhe nga zyrtarë amerikanë javët e fundit” – shkruan Financial Times, ndërsa thekson se as Shtëpia e Bardhë dhe as zyra presidenciale e Ukrainës nuk iu përgjigjën kërkesave për një koment mbi telefonatën.

FT zbulon se pas telefonatës, Zelenksit iu dha në Romë javën e kaluar një listë me sisteme goditëse, të cilat ai mund ti marre për të vazhduar luftën.

“Gjatë një takimi me zyrtarë të mbrojtjes amerikane dhe ndërmjetës nga qeveritë e NATO-s në Romë, Zelenskyy mori një listë me sisteme goditëse me rreze të gjatë që mund të vihen në dispozicion të Ukrainës përmes transferimeve nga palë të treta” – një manovër që do ti lejonte Trumpit të anashkalonte miratimin nga Kongresi për ndihmë ushtarake direkte.

Tomahawk quhet arma krysore që ukrainasit kërkojnë. Megjithatë, edhe në takim me shefin e NATO-s, Trump dukej sikur nuk e kishtë dhënë okej-n për këto raketa, por vetëm për sisteme mbrojtëse.

“Ukrainasit kishin kërkuar raketa Tomahawk, raketa lundrimi me goditje precize dhe me një rreze veprimi rreth 1,600 kilometra. Por administrata Trump, ashtu si administrata Biden, kishte shqetësime për mungesën e përmbajtjes nga ana e Ukrainës, tha një person i njohur me listën e ndarë me Zelenskit.

Gjatë një takimi në Zyrën Ovale me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të hënën, Trump njoftoi një plan për të furnizuar Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe raketa interceptuese, por nuk bëri të ditur asnjë dërgesë tjetër sistemesh armësh” – shkruan Financial Times.

Presidenti amerikan tha se ishte “shumë i pakënaqur” me Rusinë dhe presidentin e saj për mungesën e progresit drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.

“Jam i zhgënjyer nga Presidenti Putin, sepse mendoja se do të kishim pasur një marrëveshje që dy muaj më parë.”

Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-president në vend të Putinit, e minimizoi vendimin e Trump-it për një ultimatum 50-ditor ndaj Rusisë për armëpushim, me kërcënim tarifash 100%.

“Trump dha një ultimatum teatror për Kremlinin… Rusia nuk u shqetësua,” shkroi Medvedev në platformën X.

Financial Times zbulon se një nga armët që u diskutua për t’iu dhënë Ukrainës nuk e ka kapacitetin të godasë Moskën ose Shën Petërsburgun.

“Dy persona të informuar mbi bisedën mes Trump dhe Zelenskit, dhe të njohur me diskutimet SHBA–Ukrainë mbi strategjinë ushtarake, thanë se një nga armët që u diskutua ishte ATACMS.

Ukraina ka përdorur raketat ATACMS të furnizuara nga SHBA me një rreze deri në 300 km për të goditur objektiva në territoret e pushtuara nga Rusia dhe, në disa raste, më thellë brenda Rusisë.

Por ato nuk kanë rreze të mjaftueshme për të arritur në Moskë apo Shën Petersburg” – analizon Financial TImes.

Por si do të përgjigje Rusia ndaj sulmeve ukrainase me armë perëndimore?

“Rusia ka kërcënuar vazhdimisht se do të godasë objektiva perëndimore si përgjigje ndaj furnizimit me armë të avancuara për Ukrainën, por deri tani nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Pas përdorimit për herë të parë nga Ukraina të sistemit ATACMS për të goditur objektiva ushtarake në territorin sovran rus në nëntor të vitit të kaluar, Putini deklaroi se lufta kishte “marrë përmasa globale” dhe reagoi duke testuar raketën eksperimentale me rreze të ndërmjetme Oreshnik, mbi qytetin e Dnipro.

Presidenti rus tha se Moska ka të drejtë “të përdorë armët tona kundër objekteve ushtarake të vendeve që lejojnë përdorimin e armëve të tyre kundër objekteve tona, dhe nëse veprimi agresiv përshkallëzohet, do të përgjigjemi po aq vendosmërisht dhe në mënyrë simetrike” – shkruan gazeta amerikane.

Financial Times kujton edhe hapin më kërcënues të Putinit, pas sulmeve me ATACMS. Pasojat do të ishin katastrofike…

“Pas sulmeve me ATACMS, Rusia gjithashtu publikoi një version të përditësuar të doktrinës së saj bërthamore, që uli pragun për përdorim të mundshëm të armëve bërthamore.

Ndryshimet mund të përfshijnë një sulm të parë bërthamor nga Rusia ndaj SHBA-së, Britanisë dhe Francës, tre fuqitë bërthamore të NATO-s, si përgjigje ndaj sulmeve të Ukrainës në Rusi me armë si ATACMS dhe Storm Shadow” – shkruan Financial Times.

Gazeta amerikane thekson se Uashingtoni në disa raste e ka paralajmëruar Ukrainën që të mos i përdorë ATACMS për të goditur thellë brenda Rusisë, por këto kufizime duket se po zbuten tashmë.

Financial Times e mbyll shkrimin me një panoramë më të gjerë të sulmeve ukrainase ndaj Rusisë. Sulmet të cilat mund të ngjajnë të dobëta nëse Trump i jep Zelenskit armët e fuqishme dhe dritën jeshile për ti përdorur ato.

“Ukraina, në pjesën më të madhe, ka përdorur dronë të prodhimit vendas me rreze të gjatë për të goditur objektiva ushtarake thellë në territorin rus, që ndihmojnë në furnizimin e makinerisë së saj të luftës.

Sulmi më i guximshëm i saj ndodhi në fillim të qershorit, kur shërbimi i sigurisë SBU i Ukrainës nisur turma dronësh vetëvrasës të fshehur brenda shtëpive të parapërgatitura, që i kishte futur kontrabandë në Rusi, dhe sulmoi flotën e bombarderëve strategjikë të vendit.

Këta avionë ishin përdorur nga Moska në bombardimet e qyteteve ukrainase gjatë gjithë luftës.

Të paktën 12 avionë u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan, në atë që Kievi e quajti Operacioni Rrjeta e Merimangës”

Advertisement