Sport
Golat e Cikalleshit, Sadikut dhe Ajetit/ Lojtarët e kombëtares shqiptare, protagonistë në kampionatet në Turqi, Rumani dhe Indi
Fundjava që lamë pas ishte mjaft pozitive për një pjesë të lojtarëve të Kombëtares së Shqipërisë.
Nga Turqia në Rumani, India e Italia: futbollistët kuqezi arritën që të gjenin rrugën e rrjetës. Sokol Cikalleshi rigjen golin në kampionatin turk, i nënti për të me Konyasporin. Sulmuesi kuqezi zhbllokoi shifrat që në minutën e 12-të ndaj Pendiksporit, duke shënuar nga pika e bardhë e penalltisë.
Rekord për Cikalleshin, i cili u bë lojtari i huaj me më shumë gola në historinë e Konyasporit, me plot 27 në total. Skuadra e tij fitoi 0-2, teksa pas sulmuesit kavajas festoi edhe Valon Ethemi. Fitore me shumë vlera për Konyan, pasi më në fund ekipi u largua nga zona e rënies. Në Rumani ka impresionuar Arlind Ajeti. Mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë realizoi një gol mjaft të bukur në ndeshjen Farul Constanta-Cluj që përfundoi 1-1. Mbrojtësi i kombëtares kuqezi që aktivizohet me Cluj u shpall dhe njeriu i ndeshjes falë paraqitjes së shkëlqyer që bëri.
Armando Sadiku po ashtu u rikthye te goli, teksa realizoi në fitoren 3-0 të Mohun Bagan ndaj Jamshedpur. Sulmuesi kuqezi u aktivizua në minutën e 70-të dhe vulosi fitoren e Mohun Bagan me golin e tij të dhjetë minuta pasi kishte zbritur në fushë. Në Serie C vijon të shkëlqejë Cristian Shpendi, i cili shënoi edhe në duelin mes Cesenas dhe Entellas I cili përfundoi 4-0. Golashënuesi më i mirë i këtij divizioni, realizoi golin e dytë të bardhezinjve kryesues. 20-vjeçari numëron 17 gola në këtë kampionat. Mjaft mirë bëri edhe Ernest Muçi në derbin kundër Galatasarayt. Sulmuesi pogradecar tregoi klasin e tij dhe vetëm goli i mungoi në duelin që bardhezinjtë e Besiktasit humbën 0-1.
Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Keidi Bare, Qazim Laçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Arbnor Muçolli, Mirlind Daku dhe Rey Manaj.