Connect with us

Kosova

Gracka e Vuçiçit/ Qasja e Kurtit ndihmon në skenarin e eksodit të serbëve

Agon Maliqi, analist politik e aktivist i shoqërisë civile, në një artikull autorial ka thënë se “gracka e re” në të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, synon ta fusë Kosovën është që të krijohet preteksti për eksodin e serbëve nga pjesa veriore e vendit.

Maliqi ka argumentuar se Serbia e di që Kosova është e humbur, prandaj skenari i eksodit të serbëve, ashtu sikurse kanë paralajmëruar dy figura të njohura publike nga Serbia – Sonja Biserko dhe Nenad Çanak – nuk mund të përjashtohet, duke pasur parasysh logjikën operative të nacionalizmit serb.

“Në këtë kontekst, skenari i eksodit të serbëve është skenari ideal i cili do ta ngujonte Vuçiçin në pozitën e viktimizimit nacionalist dhe do t’ia ofronte pretekstin e përkyer në marrëdhëniet me Perëndimin, për të refuzuar çfarëdo diskutimi për njohjen apo edhe zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës – qoftë edhe me njohje de facto – të cilin e siguron plani franko-gjerman”.

Por, për të realizuar këtë skenar, presidentit serb i duhet roli aktiv i palës tjetër – vazhdimi i qasjes së deritanishme të Qeverisë së Kosovës në raport me veriun dhe me serbët, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova është duke i krijuar parakushtet e përshkallëzimit dhe viktimizimit për Serbinë.

“Ndërkohë shqiptarët në Kosovë ende e vazhdojnë avazin e trajtimit të serbëve të Kosovës si problem i Serbisë dhe jo si përgjegjësi e vendit. Madje, me eksodin potencial të serbëve, shumë do të ndiheshin të lumtur – Vuçiçi, me gjasë, do t’i presë ata me qilim të kuq në Sanxhak apo zona të tjera të Serbisë ku ka krizë dhe nevojë akute për fuqi punëtore”- ka theksuar Maliqi.

Në një komunikatë të lëshuar më 1 shtator, shërbimi për shtyp i kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se kreut të ekzekutivit i është përcjellë informacioni se Serbia është duke planifikuar zhvendosjen e serbëve të Kosovës, posaçërisht atyre që përbëjnë shumicën në veri të vendit, në Sanxhak.

Advertisement