Aktualitet
Grenell shpërndan reagimin e Ramës, pasi s’e lejuan Thaçin në varrimin e të atit

Emisari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, ka ndarë të njëjtin qëndrim me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili e cilësoi si “të tuprshme”, ndalimin nga Gjykata Speciale e Hagës të Hashim Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait Haxhi Thaçi.
“Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturp, që e ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Kuvendit të Kosovës në bumerangun më brutal”, ka shkruar Rama në “X”, të hënën.
Grenell vazhdimisht ka kritikuar mënyrën sesi Hashim Thaçi po mbahet në paraburgim në Hagë.
Gjykata Speciale nuk i ka dhënë leje ish-presidentit Hashim Thaçi të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait. Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
OVL e UÇK e quan “vendim të padrejtë, johuman dhe të papranushëm”, mos lejimin e Thaçit nga ana e Speciales.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh indinjatën dhe revoltën e saj të thellë ndaj vendimit të padrejtë, jo human dhe të papranueshëm të Gjykatës Speciale, e cila ka refuzuar lirimin e bashkëluftëtarit tonë, ish presidentit Hashim Thaçi qe të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe të japë lamtumirën e fundit babait të tij.
Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së.
“Vendim çnjerëzor” – Basha shpërthen pas refuzimit të Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait: Një shkelje e rëndë

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale që nuk i lejoi ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pjesëmarrjen në varrimin e babait të tij. Basha e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe çnjerëzor, duke e konsideruar një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe një goditje ndaj standardeve të drejtësisë që, sipas tij, kjo gjykatë pretendon të përfaqësojë.
“Jam i revoltuar nga lajmi se gjykata ka refuzuar t’i lejojë presidentit Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Ky është një vendim i padrejtë dhe çnjerëzor, që përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe vë në pikëpyetje standardet e drejtësisë që kjo gjykatë pretendon të përfaqësojë,” -u shpreh Basha.
Ai shtoi se ndan dhimbjen me Thaçin në këto momente të vështira dhe se pamundësia për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit është një plagë e rëndë për çdo njeri.
“Në këto momente jam me zemër dhe mendje pranë Hashim Thaçit. Dhimbja e tij është dhimbja ime dhe e çdo bir shqiptari, e tashmë rëndohet edhe më shumë nga pamundësia për ta përcjellë babain e tij në banesën e fundit. Ngushëllimet më të ndjera për Hashim Thaçin dhe familjen e tij. Pusho në paqen e Zotit, Baci Haxhi!” – përfundoi Basha.

