Bota
“Greqia nuk u ftua” – “Kathimerini”: Paturpësia në hapjen e bazës së Kuçovës

Tregues i kthesës që kanë marrë marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe tronditjeve të shkaktuara nga dënimi i kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ishte mungesa e përfaqësimit të Forcave të Armatosura të Greqisë, konkretisht të Forcave Ajrore në hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë”.
Kështu nis një shkrim i gazetës së njohur greke “Kathimerini” që i ka kushtuar vëmendje asaj që ndodhi të hënën me bazën e Kuçovës.
“Ish-aeroporti sovjetik u rihap të hënën e kaluar pas përfundimit të një programi ambicioz modernizimi në bazën, e cila dekada më parë strehonte MiG-ët sovjetikë. Informacionet tregojnë se kostoja e punimeve ka arritur në 50 milionë euro dhe është financuar nga fondi i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Domethënë nga shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë natyrisht, edhe Greqinë.
Në ceremoninë e hapjes, avionë italianë Eurofighter u ulën në pistë, pasi Roma merr përsipër patrullimin e hapësirës ajrore të Shqipërisë për 15 ditë çdo muaj. Por 15 ditët e tjera janë përgjegjëse për policimin (NATO Air Policing) e Hapësirës Ajrore të Tiranës pikërisht Forcat Ajrore Helenike. Avionë F-16 nga Volosi dhe Aghialos fluturojnë në intervale të rregullta mbi Shqipëri dhe vihen në gatishmëri për emergjenca, si operacionet e shoqërimit ose përballja e ndonjë kërcënimi asimetrik nga ajri” – thuhet në shkrimin e “Kathimerini”.
“Në Kuçovë, megjithatë, prania e Ankarasë ishte e shtuar, pasi u prezantuan 3 dronë të armatosur të tipit Bayraktar TB2, të blera së fundmi nga Shqipëria në Turqi, të cilat do të vendosen përgjithmonë në këtë bazë” – thotë shkrimi që më pas bën një pasqyrim të bazës.
Për vite me radhë, Greqia dhe Italia kanë patrulluar hapësirën ajrore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, me përgjegjësi të ndara çdo dy javë. Për Greqinë, prania ushtarake në rajonin kritik të Ballkanit është një prioritet absolut dhe vepron si një kundërpeshë ndaj ndikimit gjithnjë në rritje të Ankarasë. Pak muaj më parë, Athina dhe Sofja filluan diskutimet në nivel diplomatik, në mënyrë që Forcat Ajrore të marrin përsipër kontrollin e hapësirës ajrore të Bullgarisë, derisa vendi të sigurojë një flotë moderne avionësh luftarakë” – thuhet në shkrimin e “Kathimrini”.

