Connect with us

Aktualitet

Groposi shokun për një ‘ROLEX’, merret i pandehur Kristjan Cenaj

Kur kanë kaluar 8 vite nga vrasja dhe zhdukja e trupit të 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, Prokuroria e Kurbinit i ka komunikuar akuzën të dyshuarit kryesor të ngjarjes, Kristjan Cenaj. I riu akuzohet për “vjedhje me pasojë vdekjen”, vepër penale që dënohet nga 15-25 ose me burg përjetë. Sipas Prokurorisë së Kurbinit 16-vjeçari Mariglen Gjonaj, i zhdukur në vitin 2015 në Fushë-Kuqe të Kurbinit, u vra nga Kristjan Cenaj aso kohe 23 vjeç, për ti grabitur orën “ROLEX” dhe varesët e floririt që mbante qafë. Më pas, pasi e vrau e groposi, ndërsa kufoma e tij u zbulua pas 8 viteve.

Aktualisht ndaj Kristjan Cenaj, hetimet kanë përfunduar dhe brenda kësaj jave çështje penale kundër tij, do i kalojë për shqyrtim gjyqësor gjykatës së Lezhës si pasojë ndarjes së hartës së re territoriale. Megjithatë pavarësisht akuzës së ngritur nga Prokuroria, Kristjan Cenaj nuk ka pranuar autorësinë e vrasjes së 16-vjeçarit, Mariglen Gjonaj. Por ka dhënë deklarime kontradiktore.

Ai ka pranuar se ka qënë në shoqërinë e 16-vjeçarit, Mariglen Gjonaj, të cilin e kishte lënë vetëm në rrugën e Fushë-Kuqes, pasi i ishte prishur makina e tij personale. E gjithashtu pretendon se Gjonaj ka vijuar udhëtimin në këmbë për tu larguar në banesë. Ndërsa Kristjan Cenaj, ka mbetur në mes të rrugës me makinën e tij të prishur.

Por në vijim të dëshmisë së tij, Cenaj ka treguar se ka provuar sërisht për ndezjen e makinës dhe mjeti ishte ndezur, duke sjellë largimin e tij në Mamurras.

“…gjatë rrugës unë nuk e kam parë Mariglen Gjinaj…”,– ka treguar Cenaj, duke shtruar se atë ditë ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka punuar duke mbledhur barin. Por në rrjetin e tij social në “Facebook”, në 15 maj, Kristjan Cenaj ka postuar fotografi në vende të tjera, shumë larg vendit të krimit Fushë-Kuqes dhe zonës ku ai ka shtëpinë në Mamurras.

Cenaj, u arrestua 8 muaj më parë nga prokuroria e Kurbinit, i cili ishte duke tentuar të dilte nga Shqipëria, përmes aeroportit të Rinasit, vetëm pak orë pas përfundimit të dasmës së vëllait tij. Prej kohësh ai jetonte në Itali, ku edhe kishte krijuar një familje, ndërsa prindërit e 15-vjeçarit kërkonin eshtrat e djalit të tyre.

Advertisement