Connect with us

Aktualitet

Grup kriminal në Belgjikë, zbardhet lidhja e ish-drejtoreshës së Kadastrës me vëllezërit Ramaj

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e ish-drejtoreshës së Kadastrës në Durrës, Rajmonda Dashi dhe lidhjes së saj me një grup kriminal, të cilët i ndihmonte për të pastruar paratë.

Vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj, janë dënuar në Belgjikë për trafik droge, ndërsa me vendim te Gjykatës së Posaçme, ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në vendin tonë.

Sipas burimeve, rezultojnë se vëllezërit kanë lidhje të afërt familjare me Rajmonda Dashin. Në pranga përfundoi edhe një biznesmen, shtetasi Ardian Malasi.

SPAK e akuzon Dashin, për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Sipas SPAK, Dashi ka ndihmuar në pastrimin e parave dy vëllezërit Ramaj, të dënuar nga autoritetet belge të drejtësisë, për vepra penale të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike.

Ndaj Dashit, gjykata ka caktuar masën e arrestit në shtëpi.

Ditën e sotme, me vendim të SPAK u bë sekuestrimi i pasurive të dy vëllezërve, konkretisht 12 apartamente në qytetin e Fierit, 4 apartamente në Tiranë, 3 ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës, 27 llogari bankare, një shoqëri tregtare dhe 2 automjete.

Advertisement