Connect with us

Kosova

Grupi i krizave paralajmëron tërmet/ Ja çfarë thuhet në dosjen e verdhë

Në bazë të një raporti të publikuar rishtas nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) mbi peisazhin global për vitin 2024, tensionet gjithnjë e më të mprehta midis Kosovës dhe Serbisë janë përfshirë në mesin e dhjetë rasteve që rrezikojnë eskalim në shkallë të gjerë për shkak të një sasie çështjesh të mbetura pezull në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në raportin e ICG-së konstatohet se Bashkimit Evropian duhet te ndërmarrë katër veprime për të lehtësuar dinaminën e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa argumentohet se rruga më e mirë është një kompromis me të cilin Serbia pranon pavarësinë e Kosovës në këmbim që Kosova t’i japë minoritetit serb vetëqeverisje të konsiderueshme.

Raporti i ICG-së vlerëson ndër të tjera se “taktikat” e Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe mund të nxisin reagimin e dhunshëm të popullatës, ndërsa më tej thuhet se nëse nuk gjendet një zgjidhje e përshtatshme për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, atëherë palët duhet të angazhohet për të gjetuar alternativa të tjera.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave konstatoi se prej vitit 2021 kur në pushtet erdhi kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, situata në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit shkoi duke u “nxehur” për shkak të refuzimit për t’i dhënë “autonomi më të madhe” serbëve të Kosovës, teksa pengesë në këtë drejtim mbetet refuzimi i Serbisë për te njohur sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Në listën e ICG-së mbi veprimet që duhet t’i ndërmarrë BE-ja për parandalimin e shpërthimit të dhunës është edhe inkurajimi i Kosovës që të “rifokusojë” policinë në komunat veriore në përmbushjen e nevojave të komunitetit serb. Pra, në vend të “dislokimeve speciale të militarizuara” duhet të përqendrohet në sigurinë kufitare dhe kërkimin e depove të armëve. BE-ja paralelisht duhet t’i bëjë presion Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht, duke përfshirë forcën paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO në Kosovë për të mbyllur kufirin ndaj kontrabandës së armëve dhe për të gjetur armët e rënda që u përdorën nga paramilitarët serbë të Kosovës për terrorizmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

 

 

 

Advertisement