Sport
Grupi i ‘vdekjes’, që bëri Kombëtaren KUQEZI të frymojë, Shqipëria e të ardhmes është gati sot
Eliminimet ndoshta nuk janë gjithnjë një fund i hidhur, mbi të gjitha kur pritshmëritë nuk janë stratosferike dhe kur një komb është me këmbë në tokë.
Shqipëria zhvilloi fushatën e saj të dytë në një Kampionat Evropian në historinë e futbollit të shtetit të vogël ballkanik, i cili nëse duam të jemi realist, përtej izolimit 50-vjeçar të vendit, ka pasur gjithnjë shkëndija për të ardhmen.
Fitilat gjithsesi nuk morën kurrë flakë si duhet – ndoshta edhe për situatën socio-ekonomike të shtetit, e cila duam s’duam, impakton edhe sportin – dhe për dekada (jo vite), Kombëtarja kuqezi ka qenë thjesht një realitet që është aty, por pa mundur të bëjë kapërcime.
Kështu, ndoshta, nuk është më…
Një “grup i vdekjes” siç u quajt ai, në përbërjen e të cilit ishin Spanja, Italia, Kroacia dhe Shqipëria, mund të jetë gjëja më e mirë që i ka ndodhur Kombëtares në historinë e saj.
Matja me rivalë të frikshëm në letër në arenën ndërkombëtare është një pezmatim, i kthyer në motivim për një ekip dhe stafin teknik që e drejton dhe një ngushëllim mes optimizmit për tifozët, të cilët me padurim presin të mbështesin ekipin shqiptar në ngjarje madhore evropiane.
Pjesë integrale e këtij rrugëtimi të bukur në Euro 2024 ka qenë edhe trajneri Sylvinho, i cili të tashmen e projekton në të ardhmen e ndritur që kuqezinjtë kanë.
“Ne kemi shumë lojtarë të rinj të mirë. Shqipëria ka një të ardhme të madhe. Nuk dua të përmend emrat, por Shqipëria ka disa lojtarë shumë të mirë dhe jam i lumtur për këtë”.
Këto ishin fjalët e teknikut brazilian, së fundmi me nënshtetësi shqiptare, mbi atë çfarë Kombëtarja është sot dhe do të jetë nesër.
Ai nuk flet as për të ardhmen personale, siç kanë bërë të shumtë pararendës të tij, as për humbjet kundër Italisë, apo Spanjës, apo deri edhe te një mëkat i vërtetë si barazimi me Kroacinë (ndeshje që mund të ishte fituar dhe të mbante gjallë shpresat për kualifikim).
Flet për të ardhmen e Kombëtares dhe nëse Sylvinho nuk përmend emra, ato do të mund t’i përmendim ne: Armando Broja, Ernest Muçi, Arbër Hoxha, Medon Berisha, Mario Metaj, Kristjan Asllani, sa për të cekur disa prej tyre.
Lojtarë, të cilët mund të jenë bërthama e një gjenerate tjetër të artë të Shqipërisë, të cilët kanë fituar eksperiencën e duhur për ngjarje madhore.
Nuk është e thënë që gjithnjë të jetë Spanja, Italia, apo edhe Kroacia, treshja përmbushëse e grupeve ku Shqipëria mund të qëllojë. Me siguri, në një grup tjetër, çështja e kualifikimit për kuqezinjtë do të ishte në të tjerë binarë, nëse shihet dhe niveli i përgjithshëm që është shfaqur në këtë Evropian.
Në vitin 2016, në Francë, Shqipëria me të vërtetë arriti të mbledhë 3 pikë në grup, duke zënë vendin e tretë, por shënoi vetëm një gol në tre takime dhe as që iu afrua lojës së sotme, duke e zhvendosur vëmendjen më shumë te reparti mbrojtës.
Nga ana tjetër, tani flasim për ndeshje ku tifozeria hidhërohet se nuk u mor një barazim kundër Italisë, kampione Evrope në fuqi, qahet një barazim ku mund të merrej fitore, kundër Kroacisë, vendi i nëntë në radhitjen e FIFA-s dhe shfryhet për një humbje 0 me 1 kundër Spanjës, asaj që shihet si favorite për të rrëmbyer trofeun e Euro 2024.
“Lojtarët e mi lanë gjithçka në fushë dhe ata do ta mbajnë mend këtë për pjesën tjetër të jetës së tyre”, thotë Sylvinho. “Ata do të mendojnë për këtë, herën tjetër që të dalin në fushë. Askush nuk u poshtërua. Ne po luanim në nivelin më të lartë. Ata ishin perfekt për mua si trajner”.
“Gjithçka është e mundur në futboll dhe, me pak fat, ne mund të kishim bërë më shumë. Në përgjithësi, do ta konsideroja një paraqitje pozitive në këtë turne. Por ne duhet të mësojmë nga ajo që kemi bërë gabim”, thotë nga ana tjetër kapiteni i ekipit, Berat Gjimshiti, mendësia e të cilit është të parashohë atë çfarë duhet të vijë për këtë Kombëtare.
Kapakun e të gjithës, e vendos po Sylvinho: Duhet të mësohemi të luajmë në turne si ky.
Sytë për nga paraqitjet e radhës!