Sport
Guardiola: Koha të fitojmë tripletën, Arsenali më ka befasuar
Dueli i zjarrtë Manchester City-Arsenal po afron dhe të gjithë sytë janë mbi sfidën e “Etihad”, të mërkurën mbrëma (21:00).
Deri më tani, nga opinioni e më gjerë, përplasja mes dy ekipeve të kreut është konsideruar si përcaktuese për fatet e titullit. Por, Pep Guardiola nuk ndan këtë mendim. Trajneri i Manchester City thekson në prag të ndeshjes se dueli ndaj Arsenalit ka një rëndësi të madhe, por jo aq për të përcaktuar titullin kampion.
Sfida e parë mes skuadrave këtë sezon u mbyll me fitoren 3-1 të kampionëve në fuqi të Anglisë në “Emirates”. Pep Guardiola kërkon të njëjtin standard nga lojtarët e tij edhe në këtë përballje.
”Perfeksioni nuk ekziston në futboll. Kundër skuadrave të mëdha duhet të jesh në nivelin më të lartë të formës dhe ta lexosh ndeshjen në mënyrën më të mirë. Sfida ndaj Arsenalit është e rëndësishme, por jo vendimtare, pasi kanë mbetur dhe disa ndeshje të vështira për të dyja ekipet. Ne na presin disa takime të vështira. Por s’mund ta mohoj sa e rëndësishme është kjo që na pret fillimisht.
Nëse më parë kemi gabuar në këtë fazë të sezonit, tani po e trajtojmë çdo ndeshje si një finale. Kam një ndjesi se ka ardhur koha e duhur për të tentuar tripletën. Jemi shumë afër. E kemi fatin në duart tona. Çdo sezon do të vijë duke u vështirësuar. Arsenali ka qenë gjithmonë aty. Këtë sezon ata kanë pasur një rritje të konsiderueshme. Me të vërtetë më kanë befasuar, ata kanë luajtur jashtëzakonisht mirë”.
Premier League ka hyrë në fazën më të nxehtë dhe tre barazimet radhazi të Arsenalit i kanë dhënë mundësinë e artë Man.City që të afrohet dhe të shpresojë më shumë tek titulli kampion. Për momentin, Topçinjtë ruajnë një distancë prej 5 pikë me Citizens, por këta të fundit kanë dy ndeshje më pak.
Si rrjedhojë, dueli i së mërkurës merr një vlerë të jashtëzakonshme për të dyja skuadrat. Emocionet në kohë reale të sfidës do të përcillen vetëm në ekranin e SuperSport 2 në orën 21:00, ku nuk do të mungojnë dhe emisionet me analizë speciale para dhe pas ndeshjes.