Connect with us

Kosova

Haga refuzon mocionin e mbrojtjes/ Akuzat ndaj Thaçit mbeten të plotëfuqishme

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e refuzuan mocionin e mbrojtjes që pretendonte heqjen e disa fakteve materiale nga aktakuzave ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Qëllimi i mocionit ishte të sfidohej përfshirja në padi e ngjarjeve që kanë ndodhur para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999. Megjithatë, kreu i trupit gjykues, Charles Smith, sqaroi se incidentet e përmendura nga mbrojtja nuk konsiderohen si akuza të veçanta, por si pjesë përbërëse e akuzave ekzistuese.

“Ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë, por është një pjesë e një akuze në formën e fakteve të materialeve të caktuar. Rregulla rregulla 130 nuk i jep trupit gjykues kompetencën për të rrëzuar pjesë të veçanta të akuzës që përmbajnë fakte materiale, nëse këto nuk përbëjnë akuza të pavarura. Interpretimi i kësaj rregulle kërkon një shqyrtim të plotë të secilës pikë të aktakuzës, e jo të çdo fakti individual që kontribuon në ndërtimin e saj”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.

Për këtë arsye, nga sa sqaroi ai, edhe nëse argumentet e mbrojtjes do të pranoheshin, ato nuk do të çonin në rrëzimin e ndonjë pike të aktakuzës. Aktakuza e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u dorëzua më 30 shtator 2022 dhe përmban dhjetë pika, ku të akuzuarit ngarkohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

 

Advertisement