Kosova
‘Hakmarrje…’/ Pajtuesi i gjaqeve: Vrasja e Liridonës nuk mund të falet as me Kanun
Pajtuesi i gjaqeve, Pjetër Gjoka, në një intervistë televizive ka folur në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt në Kosovë, që u porosit nga bashkëshorti i saj Naim Murseli.
Gjoka ka interpretuar Kanunin duke treguar se çfarë parashikon për këtë ngjarje.
Sipas tij familja e Liridonës ka të drejtë të hakmerret, ndërsa theksoi se femra është gjysmë gjaku.
Ai tha se nëse është një grup që ka kryer krimin, sipas Kanunit, të gjithë të përfshirët bien në gjak.
“Kanuni shprehet qartë në nenin 920, i cili cilëson se vrasja e gruas, me gjithë ato rezerva që kemi në kohët e sotme, prapë se prapë, autori i kryerjes së kësaj vrasje, apo ai që e ka porositur, e ka: gjaku i gruas nuk shkon gjakhupës, kur ai zihet në flagrancë nga bashkëshorti në marrëdhënie seksuale me një partner tjetër apo nëse ai vritet në flagrancë kur ai kapet, shkon gjakhupës. Por ky nuk është rasti.
Familja e Liridonës, ka të drejtë të hakmerret, dhe familja e atij që vrau bashkëshorti i ka gjysmë gjak. Sepse femra është gjysmë gjaku. Nëse është një grup, të gjithë bien në gjak. Kanuni e thotë qartë, nëse merr pjesë në një vrasje në grup dhe zbulohen të gjithë, të gjithë bien në gjak. Minimalja, familja Murseli duhet të respektojë rastin, familjen e të ndjerës, dhe jo të flasë dhe të mbështesin djalin e tyre”, tha Pjetër Gjoka.
Pyetjes së çfarë ndodh me familjen e Murselit, sipas Kanunit, për këtë ngjarje, pajtuesi i gjaqeve tha se ditët e para i merr në mbrojtje policia, pastaj duhet të fshihen dhe të ruhen vetë.
“Si praktikë që zbatohet kudo, në ditët e para duhet të jetë policia, por më pas Kanuni shprehet se ai duhet të fshihet vetë. Ata duhet të dinë vetë të fshihen. Babain e Naimit e kam parë deklaratën. Ai tregon pendesë dhe keqardhje, por nuk mjafton. Duhet të shprehet më qartë dhe mbi të gjitha të heshtë. Mua, Naimi, më duket njeri kompleks. Do të thosha problematik, një vrasës gjakftohtë para gruas”, tha ai.
Në lidhje me pajtimin mes dy familjeve, Pjetër Gjoka tha se duhet të pritet që gjërat të shkojnë në vend, dhe nëse asnjë nga familjet nuk është e përfshirë në ngjarje, mund të ndodhe.
Pyetjes se ku ka më shumë gjakmarrje në Kosovë apo Shqipëri, pajtuesi i gjaqeve tha se rastet më të shumta ndodhin në Shqipëri.
“Pajtimi ndodh pasi ndodh dënimi. Pasi gjërat të shkojnë në vend, mund të ndodhë. Nëse asnjë nga familjet nuk është fajtore ndodh. Ka misionarë të mrekullueshëm dhe Kosova, por kjo mund të ndodhë me kalimin e kohës. Duke parë një statistikë, më bëri përshtypje, rastet e dhunës ndaj gruas, ishin më të larta në Kosovë se në Shqipëri. Por, rastet e Shqipërisë kanë përfunduar në vrasje, ndërsa në Kosovë më pak. Ne jemi thuajse të njëjtë me Kosovës. Shqipëria e ka më të theksuar gjakmarrjen”, tha Pjetër Gjoka./panoramaplus