Shkrime
Halli i familjes Berisha dhe grushti socialist ndaj demokracisë shqiptare
Nga Blendi Kajsiu
Përplasja e fundit në parlament ka shkaktuar një reagim të gjerë, sidomos nga mediat qeveritare, që dënojnë dhunën e ushtruar nga ana e deputetëve të opozitës. Është mëse i arësyeshëm dhe i domosdoshëm dënimi i dhunës fizike në parlament. Ama dhuna fizike e ushtruar nga opozita zbehet përballë dhunës politike që po ushtron shumica socialiste.
Është dhuna politike e shumicës socialiste që po i jep një grusht të fortë demokracisë shqiptare. Rrëzimi i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore është atentati më i rëndë që po i bëhet demokracisë tonë sot. Reduktimi i parlamentit në një zgjatim të ekzekutivit, që në vetvete është një shtojcë e humorit të kryeministrit Rama, konsolidon një nga precedentët më problematikë të demokracisë shqiptare.
Janë justifikime që fshehin absurditetin dhe anti-kushtetueshmërinë e qëndrimit socialist. Neni 77 i Kushtetutës e thotë qartë se nëse 25% e deputetëve të Kuvendit kërkojnë ngritjen e një komisioni, votimi i tij nga shumica është një formalitet, pasi ngritja e komisionit është automatike dhe e detyrueshme.
Propaganda qeveritare sipas të cilës zhurma e opozitës është thjesht pasojë e halleve të Berishës është tymnaja që mbulon grushtin vrastar që kryeministri Rama nëpërmjet shumicës së rreshtuar socialiste po i jep demokracisë shqiptare. Është përdorimi tipik i disa të vërtetave të pjesëshme për të krijuar një gënjeshtër të madhe.
Natyrisht mund të jetë shumë e vërtetë që Berisha çirret në parlament për hallin e tij. Mund të jetë shumë e vërtetë gjithashtu që opozita synon ti përdorë komisionet hetimore për të fshehur hallin familjar të Berishës. Ama asnjë nga këto arësyetime nuk justifikon shkatërrimin që shumica po i bën instrumentit kryesor opozitar, komisionit hetimor.
Mënyra se si opozita i përdor apo i keqpërdor komisionet hetimore është kosto politike e saj dhe jo tagër i mazhorancës. Në momentin që agjenda e opozitës përcaktohet apo miratohet nga shumica parlamentare demokracia është në rrezik. Aq më tepër kur opozita është e përçarë dhe kur shumica parlamentare është reduktuar tek humori i kryeministrit.