Connect with us

Shkrime

Halli personal i Berishës e shndërroi PD-në një parti ku mbizotëron budallai i dobishëm

Nga Namir Lapardhaja

Pashë një video nga një fragment ku i ftuar në studio ishte njeriu më i rëndësishëm i PD-së së sotme, pas Berishës, ku dy gazetare (një prej tyre ish-zëdhënëse e kryeministrit Berisha) dhe një politolog po e trajtonin numrin dy të opozitës së sotme si një budalla të vogël, duke e marrë me të mirë, duke i shpjeguar se ato që ai po thoshte nuk kishin fare të bënin me realitetin, se ato që ata po artikulonin nuk ishin ashtu siç ai po i kuptonte etj.

Një situatë surreale ku sheh se si partia më e madhe e opozitës, për shkakun se nuk diti të ndahet nga halli personal i një njeriu, u mor peng prej tij me kontributin e një turme të verbër, të cilët jo vetëm që nuk ishin përgatitur për t’u përballur me sfida të kësaj natyre, por në një periudhë të shkurtër kohore u budallallepsën të gjithë, me shpresën ‘të shohim ku do dalim pas zgjedhjeve’.

Zhvejku do thoshte ‘mirë që u  çmendën, por përse të gjithë në një ditë’.

Nuk janë vetëm këto personazhe që njihet për nivelin e tyre mediokërr, si e vetmja garanci për të bërë karrierë dhe për t’u ngjitur në shkallët e larta të politikës së modelit Berisha, por është për të vënë kujën kur sheh se si profesorë universiteti apo intelektualë me profil akademik dhe qytetar janë në garë me modelin e mësipërm se kush të serviloset dhe të lëshojë broçkulla nga më absurdet.

Kjo është fatkeqësia e një partie që në nisje synonte të ishte përfaqësuese e botës akademike, e studentëve dhe e intelektualëve, ndërsa, në bitisjen e saj, Berisha e shndërroi për shkak të hallit të tij personal në një parti anakronike, të pakuptuar nga pjesa më e madhe e shoqërisë, dhe në një parti ku përfaqësuesi më i rëndësishëm politik, i cili në mungesë të Berishës do të drejtojë fushatën në të gjithë Shqipërinë, trajtohet në studio televizive si një budalla i dobishëm që as nuk kupton as nuk kuptohet.

Advertisement