Bota
Hamasi: Gati për një luftë të gjatë, objektiv shkëmbimi i të burgosurve
Luftimet në Izrael dhe Rripin e Gazës vijojnë, ndërsa Hamasi ka marrë rreth 100 pengje dhe thotë se objektivi i tyre është shkëmbimi i të burgosurve me palestinezët e mbajtur në Izrael Kështu tha një militant i grupit të Hamasit. Ali Barakeh tha se Hamasi ka një arsenal raketash afatgjatë. Forcat izraelite të mbrojtjes kanë njoftuar se kanë rifituar kontrollin e plotë të kufirit të Gazës . “Ne jemi përgatitur mirë për këtë luftë dhe për t’u përballur me të gjithë skenarët, duke përfshirë një luftë të gjatë,” tha Barakeh, duke shtuar se Hamasi do të përdorë pengjet për të siguruar lirimin e njerëzve të mbajtur në burgjet izraelite dhe madje edhe të disa palestinezëve të burgosur në SHBA.
Nga ana tjetër kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu thotë se hakmarrja e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit për sulmin më të keq në tokën izraelite në dekada sapo ka filluar. Rreth 900 njerëz kanë vdekur në Izrael që nga sulmi i papritur i së shtunës, duke përfshirë 260 njerëz të masakruar nga persona të armatosur të Hamasit në një festival muzikor. Që kur Izraeli filloi të sulmonte Gazën si përgjigje, 704 njerëz kanë vdekur në anën palestineze. Krahu i armatosur i Hamasit ka kërcënuar se do të vrasë një peng sa herë që Izraeli kryen një sulm ajror pa paralajmëruar civilët.
Sulmi në Izrael, Presidenti palestinez pritet të vizitojë Moskën
Teksa tensioni rritet dhe sulmet vijojnë mes Izraelit dhe Hamasit, po bëhen përpjekje që presidenti palestinez Mahmoud Abbas të vizitojë Moskën, raporton BBC. “Është arritur një marrëveshje që Abbas do të vijë këtu në Moskë. Ne jemi në pritje të një deklarate zyrtare nga Kremlini… se kur do të bëhet vizita”, thuhet të ketë thënë Abdel Hafiz, i dërguari palestinez në Moskë, raporton BBC. Udhëheqja palestineze është e ndarë midis Autoritetit Palestinez (PA) të Abbas, i cili kontrollon pjesën e Bregut Perëndimor, dhe grupit militant, Hamas, që qeveris Gazën.
Izraeli: Rifitohet kontrolli i plotë i kufirit të Gazës
Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) kanë njoftuar se kanë rifituar kontrollin e plotë të kufirit të Gazës. Zëdhënësi i Përgjithshëm i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, kundëradmirali Daniel Hagari, tha se ushtria ka rimarrë kontrollin e kufirit poroz të Gazës pasi terroristët e Hamasit hodhën në erë pjesë të gardhit kufitar gjatë sulmit të së shtunës në mëngjes. “Ditën e fundit asnjë terrorist nuk ka hyrë nga gardhi. Trupat e inxhinierisë luftarake po punojnë për të minuar zonat”, tha Hagari në një telefonatë me gazetarët. IDF vlerëson se një numër i vogël terroristësh ende fshihen në territorin izraelit.
Shtëpia e Bardhë: Nuk do të dërgojmë ushtarë amerikanë në Izrael
“Ne nuk kemi ndërmend të dërgojmë trupa amerikane në Izrael”. Këtë e tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Amerikane, John Kirby, në një konferencë me një grup të vogël gazetarësh, duke njoftuar gjithashtu se paketa e parë e ndihmës për Izraelin tashmë është “dërguar”.
SHBA: Ndihmë e re për Izraelin në ditët në vijim
Shtetet e Bashkuara do të shpallin ndihmën e re për Izraelin “në ditët në vijim”. Këtë e tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Amerikan, John Kirby, në një konferencë me një grup të vogël gazetarësh. “Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit izraelit në këtë moment krize dhe për këtë arsye do të ndriçojmë Shtëpinë e Bardhë me ngjyrat e flamurit izraelit këtë mbrëmje”, shtoi ai.
Dy gazetarë palestinezë u vranë në sulmin ajror izraelit në Gaza
Dy gazetarë u vranë dhe një tjetër u plagos në një sulm ajror izraelit në një ndërtesë banimi në Rripin perëndimor të Gazës, sipas një deklarate nga zyra e shtypit e qeverisë të kontrolluar nga Hamasi. Gazetarët Saed Al-Taëeel dhe Mohammed Sabah u vranë në sulmin ajror teksa mbulonin evakuimin e një ndërtese. Një tjetër gazetar që ishte me ta, Hisham Al-Naëajha, është plagosur dhe aktualisht po merr ndihëm mjekësore.
Blinken telefonatë me ministrin e Jashtëm izraelit: Po punojmë për lirimin e pengjeve
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka biseduar me ministrin e Jashtëm izraelit Eli Cohen, raportojnë mediat amerikane. Në bisedën telefonike, Blinken “ripohoi përpjekjet e SHBA-së për të siguruar lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve “, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA.