Connect with us

Bota

Hamasi kërcënon palestinezët: Mos bashkëpunoni me organizatën amerikanë të ndihmave

Ministria e Brendshme e qeverisë së Hamasit, e cila drejton Rripin e Gazës, i paralajmëroi banorët e enklavës që të mos e ndihmojnë Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF) të mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, duke thënë se incidentet vdekjeprurëse pranë pikave të shpërndarjes së ushqimit po rrezikonin banorët e uritur të enklavës palestineze.

“Është rreptësisht e ndaluar të bashkëpunosh, të punosh për ose të ofrosh ndonjë formë ndihme ose mbulimi për organizatën amerikane (GHF) ose agjentët e saj vendas apo të huaj”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

“Do të merren masa ligjore kundër kujtdo që gjendet i përfshirë në bashkëpunim me këtë organizatë, duke përfshirë vendosjen e dënimeve maksimale të përcaktuara nga ligji kombëtar në fuqi”, shtoi ministria, pa dhënë hollësi. GHF nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë private humanitare me seli zyrtare në Shtetet e Bashkuara, filloi operacionet më 26 maj pasi Izraeli kishte ndërprerë ndihmën humanitare për enklavën palestineze për më shumë se dy muaj, pavarësisht paralajmërimeve për një mungesw tw ushqimit.

Që kur Izraeli hoqi bllokadën 11-javore të ndihmës në Gaza më 19 maj, duke lejuar rifillimin e shpërndarjes së kufizuar të ndihmës së OKB-së, më shumë se 550 njerëz janë vrarë në të shtëna masive pranë qendrave të shpërndarjes së ose në rrugët e transportit të ruajtura nga forcat izraelite që kur GHF filloi të vepronte, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Hamasit.

Sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ushtria izraelite bombardoi dhe qëlloi palestinezët që përpiqeshin të arrinin në pikat e shpërndarjes, duke shkaktuar shumë vdekje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi të premten se rreth 500 njerëz ishin vrarë në këto qendra shpërndarjeje në dy javë.

Të hënën, ushtria izraelite pranoi se civilët palestinezë ishin vrarë dhe plagosur nga zjarri i forcave izraelite pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmës.

OKB dhe shumica e OJQ-ve që veprojnë në Rripin e Gazës refuzojnë të bashkëpunojnë me GHF-në, duke vënë në dyshim neutralitetin dhe metodat e saj.

Në një postim në X, organizata me seli në SHBA akuzoi lëvizjen palestineze për një fushatë të qëllimshme për të devijuar ndihmën për popullin e Gazës larg kontrollit të Hamasit. GHF filloi shpërndarjen e pakove ushqimore në Gaza në fund të majit, duke mbikëqyrur një model të ri shpërndarjeje që Kombet e Bashkuara thonë se nuk është as i paanshëm dhe as neutral.

Izraeli ka thënë vazhdimisht se forcat e tij veprojnë pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmës për të parandaluar që ndihma të bjerë në duart e militantëve të Hamasit. Hamasi e mohon këtë pretendim.

Më shumë se 170 organizata joqeveritare në një letër të përbashkët të martën u bënë thirrje qeverive të bëjnë presion mbi Izraelin që të ndërpresë përdorimin e GHF për të shpërndarë dhe të kthejë ndihmën kryesisht përmes kanaleve të OKB-së.

Advertisement