Bota
Hamasi lajmëroi se pranoi propozimin për armëpushim, Izraeli hedh poshtë deklaratën
Një zyrtar izraelit tha sot se nuk ishte rënë dakord për armëpushim në Gaza, pasi Hamasi deklaroi se kishte pranuar një propozim nga ndërmjetësit egjiptianë dhe nga Katari.
Zyrtari izraelit tha se propozimi që Hamasi kishte pranuar ishte një version “zbutur” i një propozimi egjiptian, i cili përfshinte përfundime që Izraeli nuk mund t’i pranonte.
“Ky duket të jetë një mashtrim që synon ta bëjë Izraelin të duket si pala që refuzon një marrëveshje,” tha zyrtari izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti sipas Reuters.
Më herët, Hamasi tha në një deklaratë të shkurtër se shefi i saj, Ismail Haniyeh, kishte informuar ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit se grupi e kishte pranuar propozimin e tyre për armëpushim.
Njoftimi i Hamasit për një marrëveshje erdhi disa orë pasi Izraeli urdhëroi evakuimin e pjesëve të Rafahut, qytetit në skajin jugor të Gazës që ka shërbyer si strehë e fundit për rreth gjysmën e 2.3 milionë banorëve të Gazës.