Politike
“Hapim tunelin e Llogorasë për 2 muaj”/ Çupi përplaset me Ballukun për Murrizin
Deputetja demokrate Dhurata Çupi, nga foltorja e Kuvendit i është drejtuar zëvendëskryeministres Belinda Balluku duke i thënë se puna për tunelin e Murrizit është pezulluar, e duke i kërkuar transparencë. Ajo i tha se qarku i Dibrës është më i varfri në vend, e kjo sipas saj për shkak të politikave të qeverisë.
Balluku iu përgjigj duke i thënë se tuneli i Murrizit pritet të mbyllet deri në dhjetor të 2024, teksa sqaroi se ka një raport që tregon se puna 2është ndërprerë për shkak të problemeve gjeologjike që janë hasur. Ajo shtoi nga ana tjetër se për dy muaj do të hapet tuneli i Llogorasë, 6 muaj para afatit të caktuar më parë.
Balluku i tha Çupit se do ishte e lumtur nëse do të vinte që të vizitonte punimet në Murriz, si dhe Dibrën, për të kuptuar se njerëzit aty po kthehen dhe po shndërrojnë shtëpitë e tyre në bujtina.
Balluku: Rruga e Arbrit nuk ka ku të hidhen paratë se është kontratë PPP 13 vjeçare me një shumë të përcaktuar prej 33 miliardë lekësh që nuk ndryshon asnjë qindarkë. Jam shumë e lumtur të organizohemi dhe të futemi në tunelin e Murrizit dhe të shikoni sa hekur është hedhur aty dhe çfarë pune është bërë. Nuk shpenzohet asnjë lek më shumë veç asaj në kontratë, janë kosto të kompanisë që ka marrë përsipër atë punë. Është pezulluar puna në maj të 2019 sepse kemi ndeshur në basenet nënujore të Murrizit, dhe ka pasur një raport, dhe është transparent. Rruga e Arbrit ka vazhduar dhe problematika ka qenë në Murriz, por shpresojmë dhe duam ta dorëzojmë brenda dhjetorit të 2024.
Për dy muaj do të dorëzojmë tunelin e Llogorasë, 6 muaj para afatit. Pra vetëm problemi gjeologjik është arsyeja që e vonojmë tunelin e Murrizit.
Çupi: Ajo që mua me vjen keq është që ne këtu në sallë bëjmë replika, ndërkohë që Dibra është e varfër. Është qarku më i varfër për shkak të politikave tuaja.
Balluku: Njerëzit po kthehen, jo të ikur. Po kthehen për të kthyer kullat dhe shtëpitë e tyre në agroturizëm. Dil pak më shpesh nga zona dhe shiko si po ndryshon. Nëse dibranët na e njohin ose jo punën, duket qartë nga votat e 14 majit të 2023.