Kosova
Hapja e urës mund të nxisë tensione, ja vlen të trajtohet në dialog
Për hulumtuesin Marko Prelec hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve, mund të nxisë tensione të reja në Veriun e Kosovës.
“Por, nuk pres domosdoshmërisht të ketë ndonjë lloj dhune, vetëm se mund të shohim protesta”- potencoi njohësi i situatës politike në Ballkanin Perëndimor në një intervistë për Zërin e Amerikës
Në vlerësimin e tij kjo çështje vlen të trajtohet në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – si një gjest miqësor ndaj BE-së për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.
“Mendoj se ka një farë kohë që dialogu është në një lloj kome… Por, ajo që dialogu mund të bëjë është të trajtojë çështje të nivelit më të ulët, si pershembull çështja se çfarë duhet të bëhet me urën kryesore në Mitrovicë”, theksoi Prelec
Gjithashtu duke komentuar vizitën e Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns në Kosovë, ai potencoi se “shmangia e tensioneve të reja në Kosovë, mund të ketë qenë një nga temat e diskutimeve” në mes të tij dhe liderëve kosovarë.
“Vizita e Burns ka patur gjithashtu si synim, shtytjen përpara të disa interesave amerikane rreth qëndrueshmërisë së rajonit” – tregoi Prelec
I pyetur për raportet e Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e BE-në, ai beson se ekzekutivi kosovar tashmë i ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatët e saj më të rëndësishëm në një shkallë domethënëse.
“Shtetet e Bashkuara ndoshta janë më të zëshme se të tjerët, por edhe Bashkimi Evropian dhe vende të ndryshme anëtare si Franca, Gjermania, Italia kanë qenë mjaftë të qarta rreth dëmit që i është shkaktuar marrëdhënieve dhe faktit se janë më pak të gatshëm të ndërhyjnë në emër të Kosovës” – sqaroi njohësi i situatës politike në Ballkanin Perëndimor.