Politike
Haradinaj takim vëllazëror me Ramën: Të ndihmojë Kosovën në nivelin ndërkombëtar
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama.
Haradinaj u shpreh përmes një postimi në Facebook se gjatë takimit me Ramën ka diskutuar për zhvillimet që po kalojnë Shqipëria, Kosova dhe rajoni dhe proceset që presin vendet.
Ai zbuloi se i ka kërkuar Ramës që të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që ka Kosova në të gjitha nivelet e bisedave me faktorin ndërkombëtar e kombëtar dhe të përshpejtojë integrimin e saj.
“Sot në Tiranë një takim vëllazëror me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, sigurinë dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike.
I kërkova kryeministrit shqiptar që në të gjitha nivelet e bisedave me faktorin ndërkombëtar e kombëtar të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova dhe të përshpejtojë integrimin e saj. E falënderova përzemërsisht për kujdesin e tij dhe të Shqipërisë në këtë periudhë jo të lehtë që po kalon Kosova”, shkroi Haradinaj.