Connect with us

Kosova

Harta e PE do të sjellë ndryshime për Kosovën, vështirë të ripërtërihet besimi i Scholz e Macron

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian fundjavën e kaluar konfirmuan rritjen e partive të ekstremit të djathtë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), duke tronditur estabilishmentin aktual politik, posaçërisht në Gjermani dhe Francë, ndërsa njohësit e çështjeve politike tërheqin vëmendjen se kjo mund të sjellë ndryshime në qasjen e disa shteteve ndaj Kosovës.

Alejandro Esteso Perez, njohës i politikave të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, vlerësoi se PE-ja në përgjithësi do të vazhdojë mbështetjen për ambiciet evropiane të Kosovës, pavarësisht rritjes së partive të ekstremit të djathtë në legjislativin e ri, por ata që kundërshtojnë vendin e vogël ballkanik do të jenë shumë më të zhurmshëm.

“Një numër i partive të ekstremit të djathtë në Gjermani dhe Francë, kanë qenë sistematikisht kundër zgjerimit te Unionit, dhe posaçërisht kundër anëtarësimit të Kosovës. AfD në Gjermani mbështet interesat e Serbisë, veçanërisht ambiciet rreth Kosovës” –  theksoi Perez, duke marrë parasysh se disa prej anëtarëve të këtyre partive e konsiderojnë akoma Kosovën pjesë të Serbisë.

E djathta ekstreme është mjaft e pranishme në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se rrjetet evropiane të së djathtës ekstreme ushqehen nga flukset e dezinformatave që vijnë nga Rusia dhe në thelb kalojnë nëpërmjet Serbisë. Prandaj, njohësit e çështjeve politike shprehin drojën se retorika armiqësore e së djathtës ekstreme mund të ketë implikime të gjera për kosovarët.

Profesori i Diplomacisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën e Menaxhimit në Francë, Valon Murtezaj, përkundër se nuk parasheh ndonjë ndryshim drastik, shpreh dilemën se si do duket arkitektura e institucioneve evropiane pas përparimit të dukshëm të së djathtës ekstremeve, posaçërisht në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-së.

“Ndryshimet në përbërjen e PE-së, sado që nuk pritet të kenë implikime drastike në ndryshimin e kursit në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perendimor, mund të kenë ndikim në përzgjedhjen e udhëheqësve në institucionet evropiane, të cilët mund të kenë përqasje të ndryshme në përcaktimin e agjendës dhe prioriteteve evropiane”, potencon Murtezaj.

Megjithatë, përkundër përparimit të partive të ekstremit të djathtë në disa vende dhe kontekstit të rëndë gjeopolitik në kontinentin evropian pas agresionit rus, partitë që konsiderohen tradicionalisht liberale, do ta kenë shumicën edhe në përbërjen e re të PE-së. Prandaj, njohësit sugjerojnë se Kosova duhet të punojë për të rikthyer besimin e aleatëve kryesorë.

“Rivendosja e marrëdhënieve me Berlinin dhe Parisin mund të mos jetë e lehtë, duke pasur parasysh ngritjen e së djathtës ekstreme, që mund të shtyjë Scholzin dhe Macronin të ashpërsojnë qëndrimet e tyre” – ka paralajmeruar ndër të tjera Esteso Perez duke theksuar se rikonfigurimi i raportit të forcave do të ndryshojë dinamikën kontinentale e cila jo-domosdoshëmrisht shkon në favor të Kosovës.

Advertisement