Connect with us

Shkrime

Hë plako çkemi/ Mesazhet politike për tu gëlltitur nga të rinjtë po kthehen në qesharake dhe jo ‘COOL’

Nga Bjorn Runa

Por, rezultati është një valë politike “cringe”, ku përpjekja për t’u dukur të rinj, të thjeshtë, të freskët, apo “cool”, kthehet në një lloj ndjesie sikleti e turpi për shumicën e përdoruesve të rrjeteve sociale, duke shfaqur një distancë edhe më të madhe mes elitës politike dhe qytetarëve, vëmendjen e të cilëve kërkojnë. Pak a shumë si sikleti që do të ndieje nëse një ditë babai yt 60-vjeçar do t’ia behte në shtëpi me një tatuazh në qafë, “Air Jordans” dhe në çfo dy a tri fjalë, njëra do të qe anglisht (“Useless plako”, “Ç’ka po thu doesn’t make any sense). Në thelb nuk ka asgjë të keqe, por me siguri çdokush do të shqetësohej se mos prindi i tij nuk është mirë.

Në pamje të parë, kjo mund të ngjajë me një përpjekje të padëmshme për t’u përshtatur me mediat e reja. Tek e fundit, rrjetet sociale janë platforma të fuqishme, ku të rinjtë kanë krijuar tashmë komunitetet e tyre bashkë me gjuhën, terminologjinë dhe një kulturë krejt të tyren. Por ky ndryshim estetik është simptomë e një problemi më të thellë. Ai tregon për një klasë politike që e ka humbur plotësisht sensin se si flitet me njerëzit dhe veçanërisht me të rinjtë. Në vend që të përpiqen të kuptojnë se përse të rinjtë janë gjithnjë e më të zhgënjyer, indiferentë dhe të distancuar, politikanët tanë përpiqen të imitojnë sjelljet e tyre online. Madje, edhe këtë e bëjnë në mënyrë të shëmtuar. Rezultati është pikërisht kjo valë e politikës “cringe” – performanca të sforcuara për t’u dukur sa më të prekshëm dhe të afërt, por që në fakt vetëm nxjerrin në pah se sa jashtë realitetit janë pjesa dërrmuese e figurave të politikës.

Po pse ndodh kjo dhe përse tani? Pjesërisht për shkak të dëshpërimit. Metodat tradicionale të të bërit fushatë – takimet masive, posterat dhe spotet televizive nuk kanë më impaktin që kanë patur dikur. Për më tepër, besimi te partitë, politika dhe tek vetë institucionet është i ulët. Pjesëmarrja në votime, siç edhe është vënë re, sa vjen dhe bie pas çdo palë zgjedhjesh. Nga ana tjetër, politikanët kanë nevojë për vëmendje dhe sot, ajo është e gjallë vetëm brenda mjedisit të rrjeteve sociale. Problemi është se Instagram-i dhe TikTok-u janë mjete thuajse të përsosura marketingu dhe për të ndërtuar një markë biznesi, por mbeten të keqpajisura për të transmetuar çështje të politike komplekse. Dhe politikanët i shfrytëzojnë ato jo domosdoshmërisht për të komunikuar diçka domethënëse, por për t’u bërë pjesë e vorbullës algoritmike të vëmendjes. Ata nuk iu flasin votuesve, por performojnë për ta me shpresën se performanca do të nxisë një lloj lidhjeje me ta.

Pasojat e gjithë kësaj janë serioze. Së pari, sjellje të tilla përshpejtojnë depolitizimin e politikës. Kur përmbajtja politike bëhet e padallueshme nga spektakli dhe argëtimi – apo më keq kthehet në parody të tyre – ajo zhvishet nga serioziteti i diskutimit demokratik. Së dyti, infanitilizon elektoratin, duke e shndërruar angazhimin politik në konsum pasiv. Në fund, thellon edhe më tej cinizmin. Instagram-i dh e veçanërisht TikTok-u janë alergjikë ndaj falsitetit, edhe kur ai është i paqëllimshëm. Votuesit dhe sidomos të rinjtë, e nuhasin që larg mungesën e origjinalitetit. Ndaj, britmat “O Rameee” dhe nënqeshjet “He mo Lul”, me në sfond muzikën e reperëve që po harroheshin prej mëse një dekade, nuk i bëjnë politikanët të duken “cool,” por të dëshpëruar. Të dëshpëruar dhe të pavetëdijshëm se ironia dhe zhgënjimi janë regjistrat dominues në kulturën e rinisë digjitale.

Por ka një kërcënim edhe më serioz. Kjo lloj sjelljeje rrezikon t’i mësojë votuesit të kenë edhe më pak pritshmëri nga ç’kanë patur deri tani. Tek e fundit, përse të kërkosh ide kur mund të bësh scroll nga video e një politikani që përsërit i buzëqeshur vargje rap, tek bufa të gjallë e të animuar, apo të tjerë që kërcejnë në makinë dhe këto pastaj t’i quash politikë?

Rritja e politikës së “cringe”-it nuk është thjesht çështje PR-i të dobët, por simptomë e një klase politike, e cila pasi ka humbur lidhjen me realitetin dhe imagjinatën e përbashkët, s’i ka ngelur tjetër veçse t’i kthehet imitimeve, duke u përpjekur të përvetësojë kodet estetike të të rinjve, pa e kuptuar në thelb përmbajtjen e tyre në rrjetet sociale. Tek ne, ku mosbesimi ndaj politikës dhe institucioneve është tejet i thellë, kjo lloj strategjie e të bërit fushatë rrezikon të përforcojë pikërisht izolimin dhe ftohjen që kërkon të tejkalojë

Carrie Schneider, ‘Voice's Owner (I don't know her)’, 2023, Sculpture, Two unique chromogenic photographs made in camera, CHART

Advertisement