Shkrime
Heronjtë, sindikatat dhe liderët e të njëjtës medalje
Christian Elia – Internazionale.it
Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë është, në formën e sotme, produkt i viteve shtatëdhjetë. Një ekspozitë e përhershme, e cila shpesh nuk është pjesë e qarqeve të preferuara të turistëve të nxituar. Megjithatë, aty, mes atyre dhomave të mëdha dhe të heshtura, me dritat e saj të buta, tregohet një histori, historia e punëtorëve si miti themelues i një komuniteti.
Në të gjithë artin socialist kjo është e zakonshme, Shqipëria nuk bën dallim, por është mahnitëse sot të humbasësh përballë pikturave të mëdha të artistëve dhe subjekteve të tyre – minatorë, rafineri, kantiere detare, kooperativa bujqësore – duke menduar për kushtet aktuale të punëtorë në Shqipëri. Ato fytyra, ato tipare, janë të njëjta, të kundërta janë kushtet e jetesës. Punëtorët e djeshëm ishin heronj, por nuk ishin të lirë të thoshin atë që mendonin; punëtorët e sotëm mund të bëjnë çfarë të duan, në letër, por thjesht nuk mund ta përballojnë jetesën.
Të shkosh në Bulqizë është e lehtë, ajo që duket e ndërlikuar është të qëndrosh atje dhe të jetosh. Një luginë, në qendër e përshkuar nga një rrugë që duket e projektuar nga një fëmijë, që ndan dy vendbanime urbane: i pari është ai historik, i dyti është ai që të burgosurit politikë ndërtuan me duart e tyre për tu strehuar gjatë dënimit dhe punës në minierë.
Miniera në Bulqizë është një fat, një trashëgimi, një dënim. Nga babai te djali, breza burrash (dhe gra tani, ata që humbasin burrat e tyre në minierë dteksa rikuperojnë materialet e mbeturinave jashtë galerive kryesore për të mbijetuar) që i gjeni të grumbulluara në lokalet e ndotura të qytetit, në mbrëmje, duke pirë ato çfarë ata fitojnë. Fytyrat duken njësoj si në portretet e galerisë së arteve, vetëm se nuk janë më heronjtë e askujt.
Në Shqipëri, në vitin 2022, të flasësh për të drejtat e punëtorëve mund të çojë në akuzën e të qënit komunist. Pas viteve të Enver Hoxhës është një akuzë e rëndë.
Godina dhe kryetarë sindikatash, sa për sy e faqe, ka në Shqipëri. Dhoma të bukura jashtë, të mbajtura mirë në fasada dhe me të njëjtën hapësirë depersonalizuese brenda. Një karrige, një palë kufje, një kompjuter dhe një kryesindikalist në eter.
Fytyrat e heronjve të punës janë edhe ato të punonjësve të rafinerisë së Ballshit, tashmë e mbyllur, pas dekadash keqmenaxhimi dhe shfrytëzimi.
Në Tiranë është pothuajse mbrëmja. Shihen shumë gra e pak burra që dalin nga magazine ndërmarrje me pak apo aspak ajrim. Prodhojmë produkte të markave italiane dhe të huaja të njohura në Itali dhe në botë. Por punëtorët nuk do të jenë kurrë në gjendje t’i përballojnë ato produkte me pagat e tyre. Ata shkojnë e vijnë me transport publik, kaotik dhe i pa sigurt. Të gjitha këto kompani, të cilat ndonjëherë hapen dhe mbyllen brenda natës, dhe sipas një studimi të Institutit të Kritikës Sociale dhe Emancipimit për kushtet e punëtorëve në Shqipëri, janë ato që paguajnë më pak. Natyrisht gratë, sepse hapi midis Atit të Madh dhe patriarkatit është i shkurtër. Pothuajse të gjithë punëtorët e këpucëve dhe veshjeve janë gra që jetojnë në qytete të vogla, fshatra fqinjë ose në periferi të qyteteve të mëdha, shumicën e kohës të ekspozuara ndaj llojeve të ndryshme të shfrytëzimit dhe dhunës.
Praktikisht ajo që e mban Shqipërinë jashtë Bashkimit Europian janë parametrat që kërkon BE-ja, por që mungojnë dhe mbi të gjitha për shkak të kompanive europiane që punojnë në Shqipëri. Edi Rama, shpresa e shumë të rinjve, në një transmetim televiziv në Itali ftoi kompanitë italiane të shkojnë të investojnë në Shqipëri, sepse nuk ka sindikata që të shqetësohen me to. Sa ironike… Në fund të fundit, Italia, dje si sot, i kthehet gjithmonë fatit të shqiptarëve.
Ata janë dy, Berisha dhe Rama, si një Janus me dy fytyra, zbuluan – në dekadat që ndahej pushteti – dy anët e së njëjtës medalje, Atin e Madh që riprodhon veten dhe bëhet i përjetshëm në iluzionin e alternimit demokratik.