Kosova
Heshtja e Kurtit po vret/ Manastiri, shtet brenda shtetit
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i gatshëm që ta ftojë publikisht komunën e Deçanit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit si këmbim për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Në mënyrë të heshtur Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti po pranon bartjen e pronës në pronësi të kishës si shkëmbim të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, gjë që po ta kiahin bërë parti tjera, do bëhej kaos i madh në Kuvend dhe në hapësirën publike” – deklaroi Abazi.
Vendimi nga Gjykata Kushtetuese përsa i përket tokave rreth Manastirit të Deçanit është marrë në vitin 2016, dhe kërkon transferimin e 24 hektarë tokë, te Manastiri i Deçanit. Javën e kaluar, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Barbano, kërkoi gjithashtu zbatimin e vendimit të Kushtetueses. “Vënia në pikëpyetje e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve gjyqësore minon pavarësinë e gjyqësorit, duke gërryer shtetin e së drejtës.
Vendimi i vitit 2016 për Manastirin e Deçanit është i detyrueshëm për të gjithë personat dhe institucionet, pa përjashtim” – pati shkruar ai në platformën sociale, X. Kjo kërkesë doli edhe në raportin që përpiluan disa juristë eminentë, që në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, bënë një vizitë në Kosovë.
Misioni faktmbledhës disa ditor i tyre, kulmoi me një raport, në të cilin ndër të tjera kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, reforma për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe përmbajtja nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.
Raporti 28 faqesh i publikuar nga Këshilli i Evropës është ndarë në gjashtë pjesë ku analizohet korniza kushtetuese e Kosovës, Demokracia, Zbatimi i Ligjit e Drejtat e Njeriut. Raporti i Këshillit të Evropës ndër të tjera vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit.