Connect with us

OPINION

‘Hetimet janë komplekse…’/ Ariu dhe miu në gjyq për vjedhje

Nga Lutfi Dervishi
Banorët e pyllit u zgjuan të tronditur nga lajmi se magazinat e grurit ishin shkatërruar, gruri ishte vjedhur dhe gjithë çfarë kishte mbetur pas ishin ca rrënoja dhe gjurmë të mëdha. Përpara kishin dimrin.
Pavarësisht se gjithë natën kishte rënë shi, gjurmët e mëdha dhe unike dhe zhdukja e qypave të mjaltit, nuk linin dyshim për adresën e keqbërësit- strofkullën e ariut. Kafshët po gumëzhimin nga marazi dhe revolta.
“Ta lemë drejtësinë të bëj punën e vet”, bërtiti një çakall. “Hetimet janë komplekse dhe ende nuk kemi ngritur një akuzë. Jemi në fazën e mbledhejs së provave dhe dëshmitarëve” tha një prokuror nga vendngjarja.
Në mbrëme debatet televizive me pjesëmarrjen e kameleonëve dhe moderimin e papagajve ndotnin akustikën e pyllit me komentet ulëritëse për gjendjen e sigurisë në pyll.
Komunikata që doli nga zyra e ujqërve shtangu këdo, ndoshta edhe vetë ujqërit. “Një ngjarje e rëndë është regjistruar në pjesën lindore të pyllit, në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Autorët janë larguar në drejtim të paditur, por patrulla e ujqërve që ka qenë me shërbim pranë vendngjarjes ka ndaluar një milongë. Në cilësinë e provave materiale është sekuestruar edhe një kokërr gruri me të cilën miu u kap në flagrancë. Po punohet për identifikimin e autorëve të tjerë. Luani, mbreti i xhunglës i trembur nga revolta e mundshme e kafshëve i dërgoi porosi çakjeve prokurorë që të veprojnë me kujdes dhe të ngrenë akuzë edhe për ariun.
“Hetimet të vijojnë në gjendje të lirë”.
Reporterët dhe papagajtë në darkë e përsëritën këtë frazë, por nuk e atribuan në e kishte thënë Mbreti apo Prokurori. Seanca e gjyqit nisi me pretencën e prokurorit.
“Ne paraqesim sot para jush një çështje me rëndësi të madhe, që përfshin veprimin e të pandehurit, miushit. Dyshohet se miu ka konsumuar aktin e vjedhjes duke marrë një kokërr gruri. Edhe pse në dukje të parëndësishme, pasojat e këtij akti kanë shqetësuar banorët dhe autoritetet më të larta të xhunglës.
Ne si akuzë konstatojmë se me aktin e tijj moralisht të papranueshëm dhe ligjërisht të dënueshëm miu rrezikon që në xhungël të mungojë ushqimi. Duke grabitur një kokërr gruri, miu ka prishur zinxhirin delikat të shpërndarjes së ushqimit. Në një xhungël ku ushqimi është thelbësor për mbijetesën, kjo vjedhje, në dukje e parëndësishme ka çuar në një vakt më pak për një kafshë në nevojë duke rikthyer urinë. Me veprimin e tij miu ka shkelur ligjin, ka tronditur sigurinë dhe ka thyer besimin që është gurthemeli i harmonisë së çdo shoqërie. Kafshët e xhunglës, me të drejtë sot e tutje shohin me dyshim integritetin e krijesave të tjera, nga frika se pasuritë e tyre mund të grabiten me po atë lehtësi që përfundoi kokrra e grurit në gojën e miut.
Ne i kërkojmë kësaj gjykate të nderuar që të marrë parasysh pasojat e gjera të veprimeve të miut dhe të japë një vendim për të vënë drejtësinë në vend dhe për të rikthyer besimin e publikut te autoritetet ligjzbatuese.
Pas fjalës së prokurorit, në sallë ra heshtja. Bufi, që drejtonte seancën u gëlltit pak dhe pa nga dhelpra e cila përfaqësonte ariun. “Në respekt të ligjit, por në pamundësi fizike për arsye shëndetësore, ariu i kërkon ndjesë gjykatës së nderuar dhe opinionit publik për mungesën në seancë.
“Unë, sot i nderuar gjykatës, ndihem e privilegjuar që kam nderin të përfaqësoj një kafshë të madhe si ariu, dhe kafshët e mëdha dihet që në jetën e tyre udhëhiqen nga qëllime të mëdha dhe fisnike.
Klienti im është akuzuar për shkatërrimin e një magazine me grurë. Ndërsa dëmet e shkaktuara, siç i ka pasqyruar me detaje media e pavarur në xhunglën tonë, janë vërtet të mëdha, është thelbësore të shqyrtohet konteksti dhe synimet më të gjera të të akuzuarit në mënyrë që të arrihet një vendim i drejtë. Ne, i nderuar gjykatës, kërkojmë as më shumë e as më pak, veçse drejtësi.
I nderuar gjykatës,
Klienti im në gjithë veprimtarinë e tij është udhëhequr nga principi se “jeta e çdo kafshe është e shenjtë”. Veprimet e klientit tim janë nisur nga dëshira për të ruajtur jetën e kafshëve. Po, po, jetën e të gjithë kafshëve.
Gruri në depo, i nderuar gjykatës, ka qenë i helmuar dhe paraqeste rrezik për të madh e të vogël në këtë xhungël që na ka falur Perëndia. Imagjinoni i nderuar gjykatës se çfarë do të kishte ndodhur nëse kafshët do të konsumonin grurin. Me fuqinë e padiskutueshme, por edhe me mençurinë dhe dhembshurinë që e karakterizon klienti im i ka bërë një shërbim të çmuar komunitetit kafshëror. Ndaj ai, sot me të drejtë është i zemëruar sepse ka pritur në mos shpërblime, nderime dhe respekt. “Bëj mirë të gjesh keq” janë fjalët e fundit me të cilin u ndava sot në mëngjes në strofkullën e tij. Më lejoni të paraqes para jush i nderuar trup gjykues, fletën e analizave laboratorike që vërtetojnë se gruri ka qenë i helmuar.
I nderuar gjykatës, ndonëse klienti im në pamje të parë duket si gjigant, ai është shumë i butë nga natyra. Eshtë thelbësore të merret parasysh se nuk kemi asnjë përfim personal ca më keq ndonjë qëllim keqdashës.
Shkatërrimi i pretenduar i magazinës është i paqëllimshëm, sepse përpjekja ka qenë për shëndetin dhe sigurinë e gjithsecilit prej nesh, edhe tuajën gjykatë e nderuar.
Së treti, i nderuar gjykatës kërkoj që të keni parasysh rrethanat e paparashikuara. Ariu i shtyrë nga instiktet (që të gjithë i kemi dhe askush nuk fajësohet për to) dhe nga ndjenja e detyrës, nuk mund të parashikonte me detaje pasojat e veprimeve të tij.
Së katërti i nderuar gjykatës, klienti im është i përgatitur të kontribuojë në restaurimin e e objekti në fjalë që ka shërbyer për magazinimin e grurit. Megjithëse mund të përdoren fondet e rindërtimit të parashikuara për raste fatkeqësie, ne kërkojmë të mbahet shënim se klienti është gati të bëj vetë dëmshpërblimin.
Në përfundim i lutem kësaj gjykate të nderuar të marrë parasysh në radhë të parë qëllimet. Le të udhëhiqemi nga parimi universal se kafsha gjykohet nga qëllimet që ka. Pas qëllimeve ju lutem merrni parasysh rrethanat, dhe natyrën e veçantë të klientit. Shpresojmë shumë që përmes jush gjykatës i nderuar drejtësia do të vihet në vend, duke patur parasysh kompleksiteitn dhe nuancat e kësaj fatkeqësie.
Ne dyshojmë se zhdukja e qypave të mjaltit është bërë me qëllim për të përqëndruar pistën e hetimeve te Ariu duke njollosur figurën e tij. Ne po ju paraqesim edhe një dëshmi nga mjeku që mjalti i bën reaksion klientit tim dhe ka vite që ai nuk ja di çfarë shije ka mjalti. Kërkojmë që organi akuzës të thellojë hetimet dhe të gjejë se kush ka helmuar grurin dhe kush ka vjedhur qypat e mjaltit.
Pas dëgjimit të akuzës dhe mbrotjes Bufi gjykatës shtyu seancën e verdiktit për të nesërmen. Në mbrëmje seanca e gjyqit ishte gjella kryesore e debatit televiziv.
Papagallët kishin të njëjtën tekst për hapjen e emisionit”
“Sonte, ne kemi ftuar një panel analistësh, të cilët do të ndajnë opinionet e tyre për çështjen “miu dhe ariu”. Ngjarja ka tronditur gjithë shoqërinë e xhunglës tonë. Tema debatit do të përqëndrohet te akti i padenjë i miut dhe gjesti fisnik i ariut. Ndërkohë që sonte diskutojmë këtë çështje e di që shumica prej jush e kanë mendjen te vendimi që do të japë nesër gjykata.
Le të nisim pa humbur kohë, çfarë mendoni ju për këtë situatë?
Analisti ., Është e qartë si drita e diellit se miu është përgjegjës për këtë akt vjedhjeje të pa precedent. Por duke u fokusuar vetëm në veprimet e miut ne bëjmë një padrejtësi sepse largojmë vëmendjen nga roli fisnik i ariut. Krimi i miut, sado i vogël në dukje nuk duhet të anashkalohet dhe duhet të përballet me gjithë forcën e ligjit.
Analisti 2. Absolutisht, më fal që po të ndërpres i nderuar koleg, por vjedhja e miut nxjerr në pah shpërfilljen e tijj ndaj rregullave dhe ligjeve që normojnë jetën në xhunglën tonë. Unë jam që drejtësia të vihet në vend dhe të dërgojmë një mesazh të qartë se asnjë akt vjedhjeje nuk duhet të tolerohet, pavarësisht rrethanave.
Analisti 3. Sot përfundimisht u qartësuam se shkatërrimi i magazinës së grurit nga ariu ka ndodhur për rrethanat që u sqaruan nga avokatja e tij. Ky është rasti t’i kërkojmë falje publikisht ariut për insinuatat dashakeqëse që u hodhën në addresë të tij. Ky rast, të nderuar koleg, është një leksion që herë tjetër nuk duhet të nxitohemi të përcaktojmë se kush është fajtori. Nuk ka gjë më të lehtë se të drejtosh sot gishtin e akuzës. Por të mos harrojmë se nëse drejtojmë një gisht ndaj tjetrit, kemi kthyer katër kundër vetes. Katë jemi sot këtu apo jo?
Analisti 1. Pajtohem me parafolësit, por dua të nënvizoj se rasti i miut nxjerr në pah nevojën e llogaridhënies personale. Me këtë duhet të themi dhe të theksojmë fort se përgjegjësia është individuale. Duke dënuar miun, ne, si shoqëri, i tregojmë botës mbasrë se të gjitha kafshët, pavarësisht nga madhësia apo ndikimi i tyre, u nënshtrohen të njëjtave standarde drejtësie. Kjo është drejtësia që duam!
Analisti 2: Përveç kësaj, duke theksuar fajin e miut, ne ruajmë integritetin e sistemit tonë të drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që simpatia ose faktorët e jashtëm të ndikojnë në gjykimin tonë. Vendimi i gjykatës duhet të bazohet vetëm në fakte. Dhe faktet flasin. Miu është kapur siç thonë njerëzit “me pelë në dorë”.
Analisti 3. Eshtë rasti të përmendim edhe punën e shkëlqyer që kanë bërë ujqërit. Mos të harrojmë që ishte një patrullë e tyre që kapi në flagrancë miun. Nevoja për drejtësi është e madhe, por të mos harrojmë edhe anën tjetër. Ujqërit që kryen detyrën dhe ariu që me ndërhyrjen e tij na shpëtoi të gjithëve nga tragjedia që mund të ndodhte orë e çast.Një falenderim për ariun kurajoz dhe një ndjesë publike edhe për thashethemet që u thanë në adresë të tij. Njerëzit thonë: puno si ariu dhe ha si miu. Në rastin tonë është e kundërta: miu ka ngrënë si ariu! Kaq e thjeshtë është!
Papagalli. Duket se panelistët tanë janë në linjë dhe më vjen mirë që debati sot u përqëndrua vetëm te faktet. Duhet të theksojmë se vendimi përfundimtar i takon gjykatës, por siç e dimë ka edhe një gjykatë të opinionit publik. Uroj që në këtë rast të dy gjykatat, t’i ngjajnë vëllezërve siamezë, që nuk bëjnë dot pa njëri tjetrin.
Ndërsa ne përfundojmë këtë debat, ju bëj thirrje shikuesit tanë në gjithë xhunglën të mendojnë në mënyrë kritike për kompleksitetin që rrethon këtë çështje. Përgjegjësia e miut dhe akti fisnik i ariut, padyshim që do të disktutohen gjatë në këtë studio. Faleminderit panelistëve tanë të nderuar për debatin. Nesër mbrëma do të flasim për vendimin e gjykatës.
Vendimi
Bufi vendosi syzet me kujdes dhe nisi të lexojë vendimin: Pas shqyrtimit të kujdesshëm të provave dhe dëshmive të paraqitura, gjykata vendos shpalljen fajtor të miut, për veprat penale, të vjedhjes, shkatërrimit të pronës publike, cënimit të rendit dhe të sigurisë dhe genocid-it ndaj kafshëve. Miu dënohet me burgim të përjetshëm.
Sa i përket ariut, megjithë shkatërrimin e magazinës së grurit, është vërtetuar se veprimet e tij janë nxitur nga një shqetësim i sinqertë për mirëqenien dhe sigurinë e gjithë kafshëve të xhunglës. Ariu e ka kryer aktin e shkatërrimit në kushtet e tronditjes së fortë psiqike kur mori vesh aktin e pabesë të miut, veprimin e tij burracak pas shpine. Gjykata e shpall ariun të pa fajshëm. Në vendimin e saj gjykata mori në konsideratë, personalitetin e ariut, mungesën e qëllimit keqdashës dhe rrethanat e paparashikuara të ngjarjes.
Gjykata i kërkon prokurorisë të hapë hetime për helmimin e grurit. U shpall sot më 12 korrik 2023.
Vendimi i gjykatës u transmetua live në televizion dhe në momentin që bufi shpalli ariu të pafajshëm në xhungël nisi festa ndërsa ariu që ndoqi vendimin nga strofkulla me sy të përlotur tha: e drejta zhytet, por nuk mbytet! Rroftë Drejtësia!
Advertisement