Connect with us

Politike

Hetimet ndaj Arben Ahmetajt/ GJKKO i kthen pas SPAK-ut dosjen “Buka”: Plotësoni hetimet

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kthyer pas dosjen e depozituar nga SPAK për çështjen “Buka”, ku i pandehur është marrë ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj. Në vendimin e marrë sot nga Gjykata e Posaçme, togat e zeza kanë dalë në përfundimin se dosja ka mangësi në hetim. kështu që Prokuroria e Posaçme duhet që të vazhdojë dhe të grumbullojë të dhëna dhe prova të tjera për të provuar akuzën e ngritur ndaj Ahmetajt.

Për të përmbushur kërkesat, GJKKO i ka dhënë edhe 3 muaj kohë për hetime SPAK-ut në mënyrë që çështja të vazhdojë më pas në gjykim. Me këtë vendim, prokurori i çështjes, Elvin Gokaj ka afat deri në datën 10 mars 2025 për të plotësuar hetimet e munguara.

Ahmetaj akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, ndërsa Prokuroria e Posaçmevijon hetimet për biznesmenin Lirim Fejzollari, i cili është dhe përfituesi i truallit në fjalë, duke ngritur mbi të qendrën tregtare “Emerald”. SPAK ka dyshime se Ahmetaj dhe Fezollari kanë pasur një komunikim përtej atij institucional me tyre, dhe se ish-ministri e ka favorizuar biznesmenin në privatizimin e kësaj prone, që i përkiste shtetit, dhe për të cilën ka pasur një gjyq të fituar nga ish-pronarët. Arben Ahmetaj, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, zhvilloi ankandin për shitjen e aksioneve të “Buka” sh.a në vitin 2015, ku iu kalua biznesmenit Fezollari edhe prona që iu është njohur trashëgimtarëve të ish-pronarit të shpronësuar në vitin 1945 nga regjimi komunist. Dëmi që llogaritet nga privatizimi i ish-fabrikës së bukës llogaritet të jetë 700 milionë lekë.

Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka.

Advertisement