Aktualitet
Hetimet për skandalin e TIMS/ Salianji nga burgu: Kamikazja e Skënderbeut i mban…
Deputeti Ervin Salianji ka denoncuar nga qelia ku është mbyllur mbajtjen e konkluzioneve të hetimit parlamentar mbi “TIMS”, përtej afateve të përcaktuara. Zyra e shtypit të Partisë Demokratike shkruan se Salianji është shprehur se Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka shkelur rregulloren dhe mban në sirtar përtej afateve të përcaktuara, dosjen e firmosur nga Ervin Salianji, që tanimë duhej të ishte në duart e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Salianji shton se ato hetime parlamentare janë punë e kontribut disa mujor me kolegë dhe ekspertë dhe është një shërbim i vyer ndaj interesit publik, lidhur me ndërhyrjet kriminale në sistemin TIMS.
Deklarata e Salianjit:
Të gjenden arsyet, qëllimi dhe përgjegjësia për këtë akt të rëndë, të pengimit të drejtësisë dhe mbrojtjes së krimit, që të çon vetëm në një drejtim! Autori është Edi Rama. Ky skandal, ku doganierja e parlamentit nuk e dërgon në SPAK hetimin parlamentar pavarësisht se ligji e parashikon dhe kryetari i komisionit e ka depozituat prej muajsh, duhet hetuar! Ato hetime parlamentare janë punë e kontribut disa mujor me kolegë dhe ekspertë dhe është një shërbim i vyer ndaj interesit publik, lidhur me ndërhyrjet kriminale në sistemin TIMS. Ato konkluzione janë serioze dhe profesionale dhe ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës dhe të përgjegjësive. Nuk janë rekuizita personale e një kryeparlamentareje kukull. E ka për detyrë të bëjë atë që thotë rregullorja. Padyshim se ajo njeh Skënderbeun e saj mbi çdo normë e ligj dhe është gati të bëjë kamikazen. Por krimi i TIMS në këtë mënyrë dyfishohet. Ndërhyrjeve të paligjshme në sistem u shtohet paligjshmëria e Spiropalit, që nuk dërgon dosjen në SPAK. E gjitha kjo vërteton se gjetjet e Opozitës qëndrojnë. Vërteton dhe një herë lidhjet e qeverisë me krimin, dhe shërbimin e saj ndaj bandave. Jam i bindur edhe më shumë sot se një nga arsyet e burgosjes time politike është dhe zbulimi i manipulimeve me TIMS për të ndihmuar krimin e organizuar. Dhe kjo është padyshim një arsye e një motiv më shumë për betejë me regjimin, dhe një konfirmim i kauzave tona të drejta.
Komisioni hetimor për nxjerrjen e të dhënave nga sistemi TIMS është mbyllur që në korrik të vitit 2024 pa prodhuar asnjë rezultat të përbashkët mes forcave politike, të cilat iu drejtuan Kuvendit me dy raporte. Shumica e dëshmitarëve që u morën në pyetje nga ky Komision, i dhanë dëshmitë e tyre me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. Edhe pse deputetët e PD-së kishin kërkuar më shumë kohë, dhe zgjatjen e afateve të këtij Komisioni, socialistët me forcën e kartonit i rrëzuan të djathtët.