Connect with us

Politike

Hetimi i SPAK për Veliajn, merret e pandehur edhe deputetja e PS, Klotilda Bushka

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka është marrë zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Bushka është marrë e pandehur në lidhje me hetimet për dosjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Ajo akuzohet për “veprime qe pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, deputetja ka ndërhyrë në hetimet e SPAK ndaj Erion Veliaj në dhjetor të vitit 2024. Kjo vepër penale përfshin kryerjen e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj.

Kujtojmë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërkohë, këtë të mërkurë Prokurorët e Posaçëm dhe agjentët e BKH janë paraqitur në paraburgimin e Durrësit, për t’i komunikuar akuzat kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Kryebashkiaku akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash ‘OJF’.

Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar.

Advertisement