Connect with us

Kronike

Hetimi për Suel Çelën/ Apeli i GJKKO heq masën për gazetarin Elton Qyno

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rivlerësuar masat e sigurisë për dosjen e Suel Çelës. Në seancën e sotme, Apeli i GJKKO-së ka hequr masën e sigurisë për gazetarin Elton Qyno, ndërsa gazetari Artan Hoxha nuk bëri ankimim. Qyno ishte caktuar në “detyrim paraqitje” për veprën penale korrupsion pasiv në sektorin privat. Në të njëjtën seancë, gjyqtari Dhimitër Lara la në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” për ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu dhe vëllezërit Marsel e Xhino Roka.

Njoftimi i Apelit të GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 14.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 2 akti, datë 06.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim M.R., Xh.R., E.Q., P.F., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 138, datë 22.11.2024 dhe nr. 146, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Miratimin e vendimit n.138 datë 22/11/2024 dhe vendimit n.146 datë 27/11/2024 të Gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarit apelues z.M..R., z.Xh.R. dhe znj.P.F.. Shfuqizimin e vendimit n.138 datë 22/11/2024 dhe vendimit n.146 datë 27/11/2024 të Gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarin apelues z.E.Q..

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizur lëshoi 21 masa sigurimi pak muaj më parë. 18 prej masave të sigurisë janë “arrest në burg” dhe 3 të tjera më të lehta, si ajo e “arrestit në shtëpi” dhe “detyrimit për t’u paraqitur”. Hetimet e SPAK zbuluan dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Europian. Por po ashtu janë zbardhur edhe ngjarje kriminale, mes tyre tentativa për ekzekutimin e Ardian Çapjes

Advertisement