Kosova
Hidhet ‘në erë’ BETONI në Ibër, Kurti fushatë mbi urën e luftës
“Ndërsa është ngritur sërish tema e hapjes së urës kryesore në Ibër, e cila ndan në dy pjesë Mitrovicën në Kosovë, nuk është për t’u habitur, sepse kjo çështje ka një rëndësi të madhe simbolike për të dy komunitetet, dhe disa mosmarrëveshje për hapjen e urës mund të jenë fillimi i fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare nga ana e Albin Kurtit” – Kështu deklaroi politologu serb i veriut të Kosovës Ognjen Gogiç.
Ai u shpreh se në programin e Vetëvendosjes padyshim është bashkimi i Mitrovicës veriore dhe jugore, por edhe se Kurti me këmbëngulje ndjek politikën e provokimit të serbëve në veri.
“Ai është vazhdimisht në kërkim të temave që e di se mund të shkaktojnë revoltë, me shpresën se serbët do të rebelohen dhe do ndërmarrin ndonjë hap ndoshta radikal”- theksoi Gogić duke shtuar se serbët “absolutisht duhet të pyeten” për këtë temë, por edhe kujtoi se qëndrimi i tyre dihet dhe se asnjëherë nuk kanë qenë pro idesë për hapjen e asaj ure.
“Për palën shqiptare hapja e urës për qarkullim nuk ka rëndësi të veçantë, përveç provokimit të palës serbe. Prandaj, funksioni dhe arsyeja e vetme për ta hapur është krijimi i një provokimi të ri ndaj serbëve. Ka lidhje të tjera komunikacioni ndërmjet veriut dhe jugut dhe kjo urë nuk do të thoshte asgjë në këtë aspekt, përveç një lloj fitoreje simbolike të palës shqiptare ndaj serbëve” – vlerësoi Gogiç.
“Ajo urë dikur paraqiste një lloj kufiri që e ndante Mitrovicën në pjesën veriore dhe jugore, gjegjësisht serbe dhe shqiptare, dhe në të kaluarën ishte skenë e barrikadave dhe konflikteve të ndryshme kur serbët i pengonin shqiptarët të hynin në veri të Kosovës. Serbët para së gjithash e lidhin urën me ato ngjarje dhe kur është fjala për sigurinë, hapja e saj tani nuk do të kishte ndonjë rëndësi të madhe kur tashmë ekzistojnë lirshëm bazat e policisë speciale në veri të Kosovës dhe kur policia speciale komandon veriun” – deklaroi Gogiç.
Ai megjithatë theksoi se kjo lëvizje mund të shkaktojë revolte në komunitetin serb, por shtoi se pyetja është nëse do të mund të përsëriten skenat e njëzet viteve më parë, kur serbët erdhën në mënyrë të organizuar në urë dhe penguan kalimin e grupeve të organizuara të shqiptarëve, sepse beson se serbët në veri të Kosovës nuk kanë më potencial për atë lloj rezistence, sidomos pas ngjarjeve të vitit të kaluar, kur, siç u shpreh ai, rezistenca e tyre u thye disi.
“Në vitin 2015 është arritur marrëveshja për rivitalizimin e asaj ure dhe janë bërë disa hapa, është e hapur për këmbësorë por jo për automjete. Dhe diku çështja u ndal sepse serbët e kundërshtuan me forcë. Vitin e kaluar, Kuvendi i Mitrovicës Veriore mori vendim për ta hapur atë për komunikacion pasi këshilltarët serbë u larguan nga Kuvendi Komunal dhe këshilltarët nga komuniteti shqiptar dhe boshnjak morën avantazhin. Kjo shkaktoi polemika dhe revoltë, por sigurisht që nuk u braktis, ndoshta vetëm u shty” – tregoi politologu duke theksuar se hapja e urës nuk është vendim i Veton Elshanit, zëvendëskomandantit të Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, i cili e ka paralajmëruar këtë mundësi dje.
“Ai vetëm është duke ekzekutuar vendimin e marrë nga autoritetet, që në këtë rast është komuna e Mitrovicës së Veriut, pa marrë parasysh se autoritetet e saj nuk kanë legjitimitet. Ata marrin vendime të tilla, pavarësisht marrëveshjes së vitit 2015”. – deklaroi Gogiç.