Aktualitet
Hidrogjeni në Bulqizë, flet profesori i ekipit zbulues/ Muceku: Matje 1000 m nën tokë, është depozita më e madhe në botë
Miniera e kromit në Bulqizë mban depozitën më të madhe të hidrogjenit natyror të zbuluar deri më tani në botë. Profesori i Fakultetit të Gjeologji Minierave, Bardhyl Muceku, i cili ishte pjesë e ekipit prej 8 profesorësh shqiptarë dhe francezë, që zbuluan praninë e këtij gazi që konsiderohet si karburanti i së ardhmes, tregon për TV SCAN detajet e studimit, puna e të cilit filloi në maj të vitit të kaluar.
Përveç sasisë së madhe, kjo është depozita e parë e hidrogjenit natyror të zbuluar deri më tani në botë, duke i dhënë vlera të jashtëzakonshme reduktimit të emetimeve të gazeve me efekt serrë, që ndikojnë në ndryshimet klimatike.
Prof. Muceku tregon edhe procesin e ndjekur, që konsistoi në matjen e flluskave të gazit në ujërat e minierës.Ndërkaq, duke marrë në konsideratë sasitë e madha, vlera ekonomike është shumë e madhe.Përdorimi i hidrogjenit si burim i pastër energjie për makinat, shtëpitë apo centralet elektrike është një nga alternativat që vendet e Bashkimit Evropian po promovojnë në drejtim të energjisë së pastër dhe industrisë së qendrueshme, duke zëvendësuar burimet fosile, sikurse është nafta apo qymyri.