Connect with us

Politike

Hija mafioze McGonigal që përndjek Ramën/ Balliu: Doktor Berisha luftoi fort, por…

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi se lidhjet mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, janë pjesë e një skeme të mirëorganizuar për kapjen e drejtësisë në Shqipëri.

Balliu theksoi se kjo aferë nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një plani më të gjerë, ku përmes mbështetjes dhe ndikimit të George Soros, Edi Rama ka ndërtuar një sistem tërësisht të kontrolluar, i cili përdoret për të goditur opozitën dhe për të mbrojtur pushtetin personal.

Ai theksoi se çështja McGonigal, tashmë e faktuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, duhet të shërbejë si pikë kthese në reagimin qytetar dhe ndërkombëtar ndaj kapjes së shtetit në Shqipëri.

Gjithashtu ai paralajmëroi se heshtja e drejtësisë shqiptare është tregues i qartë i një sistemi të kalbur, të ndërtuar nga një aleancë politike dhe financiare mes Ramës dhe Sorosit, e cila synon të shuajë çdo zë kundërshtues dhe të eliminojë pluralizmin në vend.

Pjesë nga deklarata:

Duhet të kemi parasysh se në administratën e mëparshme, Rama kishte një influencë falë atij që tashmë është shpallur kreu i një organizate kriminale, që është Soros. Në këtë aspekt, është normale që administrata e re, kundër vlerave dhe parimeve që mbron Soros, sot e sheh të rëndësishme çështjen McGonigal dhe lidhjen me Ramën.

Në Amerikë, gjykatat dhe drejtësia nuk kontrollohen më nga Soros, ndërsa në Shqipëri vazhdon të kontrollohet. Ju thoni që McGonigal është qytetar nderi në Bajram Curri, Soros është në Tiranë. Kjo është ajo që ne duhet të kuptojmë. Ka ardhur një kohë tjetër, gjërat po ndryshojnë. Publikimi i kësaj çështjeje duhet të na bëjë të shohim provat e reja.

Sistemi i drejtësisë u faktua nga Departamenti i Drejtësisë në Amerikë që ishte një sistem i ndërtuar nga Rama. Vetë dosja tregon që atje miku jonë po bën reformën në drejtësi, dhe “hajde ikim dhe bëjmë ndonjë lek” duke emëruar njerëz apo duke i kaluar në procesin e vetingut.

Kjo ka rëndësi jetike për të kuptuar situatën alarmante ku ndodhet vendi. Që drejtësia jonë është një aferë korruptive. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është një aferë korruptive dhe kjo faktohet nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së. Ne tani kemi lëvizur nga debati publik dhe tashmë jemi te problemi faktik ku përfshihet edhe roli i Ramës dhe McGonigal, si dy individë të korruptuar të cilët kishin ndërmarrë një aferë dhe nismë mafioze, ilegale, të cilën për shkak të Soros kishin edhe një fuqi të madhe në sistemin e drejtësisë që ata ndërtuan bashkë.

McGonigal kishte si mision ekzekutimin e opozitës për interesa të Edi Ramës tentoi. Ka qenë një luftë e jashtëzakonshme e kësaj opozite, falë edhe liderit të saj që e mbajti opozitën si një institucion. Qeveri ka kudo, çështja është të ketë opozitë që vendi të quhet demokratik. Në rastin e Shqipërisë, u tentua të ekzekutohej opozita për të shkallmuar pluralizmin nëpërmjet sulmit kundrejt Berishës. Ata, çdo aleat të opozitës e sulmuan. Ilir Meta është akoma në burg nga ky sistem i kalbur drejtësie. Sistemin e drejtësisë në vend e ka bërë karteli Soros, kartel që vetë Presidenti i SHBA e ka denoncuar.

Nuk mund të presim që McGonigal të hetojë McGonigal, por presioni ndërkombëtar, në veçanti ai i SHBA, na jep shpresë. Duman apo stërDumanat mund të ndihen të fuqishëm përballë denoncimeve të opozitës, mund të mbyllin sytë e veshët me shpresën se do t’i mbrojë Rama, por në rastin konkret, ky është një denoncim nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA. Shikoni sa rëndësi i jep sistemi i drejtësisë atje, e ndërkohë sistemi i drejtësisë në Shqipëri hesht. Kjo heshtje e tyre bëhet vetëm për të mbrojtur Edi Ramën që të mbrohet pushteti.

Opozita sot, në sytë e çdo njeriu, e vetmja gjë që po tregon është se çdo germë e nxjerrë nga opozita po faktohet, jo vetëm në Shqipëri por deri në SHBA. Departamenti i Drejtësisë në Amerikë foli me gjuhën e opozitës. E djathta shqiptare sot është në një pozicion më të favorshëm, ashtu siç është e djathta në të gjithë botën, kur kemi në Shtëpinë e Bardhë një njeri që mbron parimet konservatore.

Advertisement