Connect with us

Shkrime

Hije dyshimi për sjelljen e SPAK me grupin Troplini/ Operacioni u la qëllimisht të kryhej pas zgjedhjeve

Ndërsa kreu i SPAK, Altin Duamni ka shpallur me të madhe në krah të kolegëve të tij të antimafias italiane shpartallimin e njërës prej bandave më të rëndësishme të narkortafikut në Shqipëri, përditë e më shumë po shtohen dyshimet se Prokuroria e Posaçme u tregua tolerante me grupin e Troplinëve. Akuza kryesore: se e shtyu goditjen  pasi ata të kryenin punë me zgjedhjet në zonën e Durrësit. Që gjatë fushatës Sali Berisha e akuzoi me emër këtë bandë se po intimodonte kandidatët e tij duke shqrbyer si krah i armatosur i Partisë Socialiste. Në një dalje publike, në emisionin “Të Paekspozuarit” gazetarja Klodiana Lala foli së paku për dy deputetë të këtyre narkotrafikantëve në listën e partisë në pushtetit në qytetin bregdetar. Ndërsa kolegu i saj Flamur Vezaj e tregoi me gisht njërin përej tyre. Arkend Balla, deputeti që u bë surpriza e këtyre zgjedhjeve kur nga një personazh anonim u bë më i votuari i qytetarëve durrsakë me 18700 vota personale u aludua se pati përfituar nga zemërgjerësia e Troplinëve. “Fushatë, mitingje, e mbledhje votash për Arkand Ballën. SPAK? Me sy nga qielli”, shkroi Vezaj në faqen e tij në Facebook.

Ndonëse ky grup hetohej prej më shumë se pesë vitesh, ndonëse opozita e denoncoi pjesmarrjen e tij në zgjedhje, ndonëse edhe për gazetarët kjo qe një e “fshehtë publike”, ndonëse SPAK kishte një taskforcë që duhej të ndiqte krimin elektoral në këtë qytet, gjithçka mbeti e pazbuluar.

Megjithëatë deri këtu jemi në rafshin e pandehmave dhe dyshimeve. Ajo që e bën më kompromentuese situatën është manipulimi i kalendarit të veprimeve nga ana e SPAK. Ashtu siç duket nga dosjet e bëra publike, hetimi, gjetja e provave për të bërë arrestimet është mbyllur në 21 shkurt të këtij viti. Pikërisht në këtë kohë gjykata italiane e Puglias ka marrë vendimet e arrestit për këtë grup duke dëshmuar ke tashmë krimi ishte vërtetuar. Po çfarë ka ndodhur? Prokurorëve shqiptarë të SPAK u është dashur gati një muaj që të merrnin veprime në territorrin e tyre. Vetëm në 19 Mars 2025, ata çuan në gjykatë kërkesën për caktimin e masave të sigurisë ndaj 29 të dyshuare të bandës së Troplinëve. A mbaron këtu? Natyrisht që jo. Gjyqtarja Irena Gjoka, tashmë e njohur për anësinë e saj, pikërisht ajo gjyqtare që ka firmosur masa arresti të kërkuara nga SPAK edhe brenda 24 orësh e mban dosjen të arkivuar për më shumë se një muaj. Ajo i firmos urdhër arrestet në 30 prill, vetëm pak ditë para zgjedhjeve.

SPAK-ut i bie sërish barra të vonohet dhe i kryen ato në 21 maj vetëm pasi PS kishte fituar në Durrës dhe vetëm pasi Arkend Balla kishte arritur shifrën marramendëse të votave vetjake. Ndonëse Altin Dumani u përbetua se se këto veprime nuk kishin lidhje me zgjedhjet, përkimet kalendarikë flasin për krejt të kundërtën.

Por ka edhe më. Nga ky operacion arrestimesh të bujshme shpëtoi preja kryesore e tij, Elvis Doçi alias “Visi i Pojës”, njeriu të cilit Edi Rama i ka firmosur një leje hoteli 10 katësh në Durrës, për kush e di se çfarë shpërblimesh. Për të njëjtat shpërblime dyshimet janë se ai u njoftua “të arratisej”. Drejtori i përgjithshëm i policisë, Ilir Proda mohoi që ai të jetë njoftuar pasi policia nuk mund ta dekonspironte operacionin se u njoftua vetëm 24 orë përpara kryerjes së tij” tha ai. Por pavarësisht kësaj kalendari bën të ngrihen dyshime. Fakti që saga e vendimarrjes për arrestimet zgjati gati 3 muaj, duke u vërsjellë gjatë në korridoret e SPAK dhe GJKKO-së, a nuk e shton  mundësinë që një njeri i pasuruar me paratë e narkotrafikut dhe i mveshur me lidhje politike, të njoftohet për arrestimin që po përgatitet ndaj tij?

Fakti është se “Visi i Pojës” avulloi pa lënë gjurmë duke i shtuar dyshimet se operacioni u la qëllimisht të kryhej pas zgjedhjeve edhe faktin se protagonisti kryesor që i përdori eurot e drogës për të përcaktuar votën doli pa lagur nga kjo histori.

©Lapsi.al

Advertisement