Kosova
Hill i kreh bishtin Serbisë së Vuçiçit: Nuk përzihemi në punët e brendshme
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Beograd, Chris Hill, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, duke komentuar rreth faktit se në ekzekutivin serb janë dy ministra pro-rusë të sanksionuar nga SHBA-ja, por edhe faktit se Serbia vazhdon të ketë marrëdhënie të ngrohta me Rusinë, deklaroi se nuk i takon SHBA-së të përzihet në politikën serbe.
“Së pari, ne e kemi bërë të qartë se nuk formojmë qeveritë e të tjerëve, nuk na takon një gjë e tillë. Së dyti, përsa u përket marrëdhënieve të Serbisë, ajo mund të ketë marrëdhënie me vende tjera dhe nuk është detyrë e jona t’i themi se me kë mund të flasë apo të mos flasë. Thjeshtë kjo nuk është cfarë bëjmë ne. A mund të jetë Serbia partner i qëndrueshëm? Po mundet”.
Në pozitën e zëvendëskryeministrit të Serbisë është rikthyer ish drejtuesi i shërbimit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandër Vulin, i cili është nën sanksionet amerikane që nga vitit 2023. Ai shërbeu edhe si ministër i ushtrisë dhe ministër i policisë, por ndodhet në “listën e zezë” të SHBA-së për shkak të përfshirjes në afera korruptive dhe lidhjeve me regjimin rus.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), në fillim të muajit maj, u shpreh i zhgënjer që Serbia vendosi ish-bashkëpunëtorin e ngushtë të gruas së ish-presidentit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, në pozitën e personit të dytë në qeveri, duke injoruar sugjerimet e drejtpërdrejta amerikane për të hequr Vulinin nga jeta publike dhe politike në shtetin e Serbisë.
Sidoqoftë, duke folur rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga diplomatët e Bashkimit Evropian (BE), ambasadori amerikan theksoi se brenda kuadrit të mospajtimit, që qëndron në njohjen e Kosovës nga SHBA-ja, administra amerikane bashkëpunon ngushtë me qeverinë serbe, posaçërisht për këtë çështje.
“Nuk mund të flasë për politikën perëndimore ndaj Kosovës. Mund të flasë për politikën tonë me Serbinë dhe bashkëpunimin në këto çështje. Ne e kemi inkurajuar Serbinë të mbetet e angazhuar në procesin e Brukselit dhe ajo e ka bërë këtë dhe po vazhdojnë ta bëjnë këtë duke paraqitur idetë e tyre për zgjidhjen e çështjeve”, shtoi ndër të tjera diplomati veteran amerikan.
“Ne e çmojmë faktin që kemi qenë në kontakt të ngushtë, ne e kuptojmë se çfarë përpiqet të bëjë, cilat janë shqetësimet dhe gjërat në të cilat mendon se mund të bëhet përparim. Për të gjithë ne – SHBA-në e BE-në – është me rëndësi të mbështesim përpjekjet e ambasadorit Mirosllav Lajçak si e vetmja rrugë që këto çështje që kanë rrënjë të thella në histori të zgjidhen”.