Shkrime
Hiq dorë/ Rusia presion patericës së saj në Ballkan
Ditëve të fundit Rusia është rikthyer në skenën politike të Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor me deklarata kërcënuese ndaj patericës së saj në rajonin tonë.
Rusia s’po fsheh axhendën destruktive ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës në veçanti.
Dje pati një riaktivizim të koordinuar nga Rusia në drejtim të Serbisë, duke i kërkuar hapur që të tërhiqet nga marrëveshja e mundshme me Kosovën, e cila pritet të përmbyllet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Të enjten, fillimisht presidenti i Serbisë, u takua me ambasadorin rus, njeriun radikal të Putinit në shtetin fqinj.
Në një postim në rrjetin e tij në Instagram, Vuçiç njoftoi se me ambasadorin rus Harçenko, patën bisedime rreth “situatës në Kosovë” dhe se Serbia do të vazhdojë në marrëdhëniet e saj me Rusinë.
Kujtojmë se kohëve të fundit, ambasadori rus ka rritur paraqitjet e tij nëpër media serbe ku vazhdimisht ka inkurajuar Serbinë të mos e pranojë plan-propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Harçenko në një numër paraqitjesh këtë propozim të BE-së e ka quajtur “njohje të Kosovës” të cilin Serbia nuk duhet ta pranojë.
Një takim i tillë i Vuçic me ambasadorin rus, vjen pas një kohë që presidenti serb foli hapur kundër formacionit terrorist rus Wagner që vepronte në Serbi.
Deklarata e presidentit serb kundër Wagnerit ishte e para publike, duke i befasuar të gjithë. Kjo u pa edhe si një fillim i shkëputjes së Serbisë nga Rusia.
Po ashtu, Serbia një ditë pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, pranoi donacion mbi 600 milionë euro nga BE-ja për rehabilitimin e hekurudhave të Serbisë.
Vetëm pak orë pas këtij takimi, në skenë dje doli zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zakharova. Ajo tha për median se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “ka të gjitha shanset të përsërisë fatin e Formatit të Normadisë” dhe i bëri thirrje Beogradit të mos i besojë rolit të Perëndimit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kosova dhe Serbia do të takohen më 18 mars në Ohër për ta përmbyllur pjesën e dytë të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, atë të planit implementues.