Pinknews
Historia e sikletshme: Aktorët e famshëm zbulojnë rastësisht se mund të jenë vëllezër
Matthew McConaughey thotë se ai dhe aktori dhe shoku i tij i ngushtë, me të cilin ka luajtur në “True Detective”, Woody Harrelson, po mendojnë të bëjnë një test ADN-je pasi kuptuan se mund të jenë vëllezër.
Duke folur në podkastin “Let’s Talk Off Camera” të Kelly Ripa-s, Matthew McConaughey zbuloi se nëna e tij e njihte të atin e Harrelson-it, në kuptimin që mund të ketë pasur një lidhje me të.
Matthew shtoi se ky koment i nxiti të dy aktorët të hetonin për historitë e tyre familjare. “Ne nisëm të zbulonim se çfarë do të thoshte kjo ‘e njihja’, bëmë disa llogaritje dhe zbuluam se babai i [Woody-t] ishte liruar me kusht nga burgu në të njëjtën kohë që nëna dhe babai im ishin në proces divorci. Pastaj ka vende të mundshme në Teksas ku mund të ketë pasur një mbledhje, ose një takim, ose një moment ‘njohjeje’.”
Babai i Woody-t, Charles, ishte një vrasës me pagesë, i cili u dënua për herë të parë në vitin 1960 për grabitje me armë. Ai u burgos në vitin 1973 për vrasje dhe u lirua pas pesë vjetësh për sjellje të mirë. Në vitin 1981, ai u dënua me dy burgime të përjetshme për vrasjen e një gjyqtari. Ai gjithashtu pretendoi se kishte vrarë John F. Kennedy dhe vdiq në burg në vitin 2007.
Matthew tha se ata po diskutojnë nëse do ta bëjnë apo jo testin e ADN-së për të konfirmuar lidhjen mes tyre.
“Shiko, është pak më e lehtë për Woody-n të thotë: “Hajde, le të bëjmë [testet e ADN-së]”, sepse fundja çfarë i kushton atij?” tha ai. “Është pak më e vështirë për mua, sepse mendoj, ‘Prit një minutë, po përpiqesh të më thuash që babai im mund të mos jetë babai im, pas 53 vitesh?’ Është pak më e vëshirë për mua.”