Aktualitet
Historiani shqiptar që punon taksist në Oksford
Klodian Mullaraj jeton prej më shumë se 23 vjetësh në Britani të Madhe. Ai u largua nga Tirana që kur ishte 19 vjeç dhe sot jeton në Oksford bashkë me familjen e tij.
Klodiani ishte në rubrikën “Jeta ime” të emisionit “Shqip” nga Rudina Xhunga ku rrëfeu historinë e jetës, si arriti në Britani të Madhe, vazhdoi studimet si student maturuar për histori dhe sot punon për vete si sipërmarrës i vogël ne industrinë e transportit.
Shqiptarët thotë Klodiani po i shohin si dele e zezë në Angli, po i përdorin për arsye politike, se përse ata po shkojnë drejt Britanisë së Madhe. Lajmet që shqiptarët janë kriminelë, merren me drogë e shtëpi bari, po i dëmtojnë shumë shqiptarët e Britanisë së Madhe.
“Ne kemi frikë të themi që jemi shqiptarë”, thotë Klodiani, dhe për këtë i vjen vërtetë shumë keq.
“Mediat në Shqipëri marrin lajme nga revista, gazeta që nuk janë prestigjioze në Angli dhe i bëjnë të tilla si tabloidi Daily Mail, e cila urrehet nga shumica e britanikëve.
Marrin për baze lajme që flasin keq për shqiptarët. Më vjen shumë inat për këtë. Nuk është e drejtë që shajnë Shqipërinë dhe shqiptarët, që promovojnë idenë që krimi korrupsioni droga përcillet në Evropë nga shqiptarët.
Nuk është e vërtetë që burgjet e Britanisë së Madhe janë mbushur me shqiptarë. Krimi këtu bëhet nga vetë anglezët. Kjo është çmenduri. Këto lajme po na bëjnë dëm neve që jetojmë Angli, ne njerëzve të thjeshtë, që fitojmë bukën me djersën e ballit, u bëjnë dëm fëmijëve tanë që bullizohen në shkollë sepse kanë dëgjuar për shqiptarët që shkojnë në shtëpi bari, që shet drogë, apo për korrupsion.
Ne kemi frikë të themi që jemi shqiptarë. Ndonëse jemi shumë 130 mijë të dokumentuar. Këta po i përdorin shqiptarët për arsye politike. Po i quajnë shqiptarët dele e zezë. Nuk vijnë shume shqiptarë këtu, nuk janë të drejta ato shifra që jepen.
Shumë shqiptareve po u shkon në mendje që të ikin nga Anglia, po vetëm se nuk kanë mundësi të ikin. Unë që kam 23 vjet këtu, me familjen që jemi të gjithë nënshtetas shpesh na shkon në mendje të ikim nga këtu. Dua të vij në Shqipëri”, tha Klodiani.
Për Klodianin vizita e kryeministrit Edi Rama në Britani të Madhe pak javë më parë i ndihmoi jashtë mase shqiptarët e Anglisë.
Duhej ngritur zëri thotë Klodiani se ne nuk jemi shqiptarët e shtëpive të barit, shqiptarët e vërtetë janë shqiptarët e punës së pastër.
“Ardhja e Ramës në Britani të Madhe, fjalët e tij ndikuan shumë te mënyra si na shohin neve këtu. Rama foli shumë korrektësisht për shqiptarët jashtë. Nuk e them vetëm unë, e thonë të gjithë shqiptarët në Britani të Madhe. Ajo që tha Rama u duhej thënë politikanëve këtu. Duhej ngritur zëri. Duhej thënë që shqiptarët nuk janë kriminelë, shqiptarët e vërtetë nuk janë ata të shtëpive të barit”, u shpreh emigranti shqiptar.
Klodiani tregon se ka shumë dëshirë të rikthehet në Shqipëri me familjen dhe të punojë në vendin e tij. Si mesazh edhe për shqiptarët që duan të shkojnë në Angli, Klodiani tregon se jetesa nuk është aspak e lehtë. Londra nuk është ajo që shihni në TikTok thotë Klodiani. Këtu duhet të punosh që të mbijetosh.
“Mua më rreh zemra për Shqipërinë. Më duket sikur me thërret, sikur diçka më tërheq të rikthehem. Do të doja që punën që bej këtu, ose njohuritë e mia, shkollimin tim ta vija në punë në Shqipëri.
Unë s’po bëj asgjë më shumë këtu se sa mund ta bëj në Shqipëri. Shqipëria ka klimën më të mirë. Këtu ka mungesë dielli, mungesë vitamine D, që është e tmerrshme. Të ishte këtu vendi i Perëndisë siç i thonë, anglezët nuk iknin me pushime jashtë Britanisë së Madhe. Është klimë e tmerrshme.
Kur ika unë nga Shqipëria ishte shumë keq vendi, ishte kohë ndryshe nga sot. Kur u ktheva në Shqipëri në 2003-shin ishte si nata me ditën. Nuk e njoha Tiranën. Pse nuk kërkojnë shqiptarët të bëjnë në Shqipëri punët që bëjnë këtu?
Atje ankohen se nuk i bëjnë punët e rëndomta dhe i bëjnë këtu në Angli me qejf. Në Shqipëri kanë turp, por puna nuk është turp. Rroga është e ulet në Shqipëri, po dhe këtu nuk të ngel gjë në fund të muajit.
Këtu punon veç për të ngrenë, këtë gjë mund ta bësh dhe në Shqipëri. Shumë njerëz që vijnë këtu zhgënjehen. Thonë: “Këtu nuk pihet kafe ditë përditë.” Nuk ka kafe ditë për dite këtu, do punosh.
Kafja pihet një herë në ditë ose del vetëm të shtunën. Të gjithë janë pune. Njerëzve u pëlqen Londra e TikTok-ut. Por ajo Londra që shohin ata në TikTok është Londra e ditës se shtunë, e një dite.
Nuk është Londra e ditës se hënë. Në Londër ke veç turistë në ditët e javës. Londinezet punojnë çdo ditë, madje edhe nga dy punë sepse qiratë janë marramendëse. Nuk është jeta e TikTok. Duhet të punosh shumë që të mbijetosh”, tha Klodiani.